Për mbrojtjen e demokracisë, bashkëpunim edhe në kohë krize

per mbrojtjen e demokracise bashkepunim edhe ne kohe krize








































NGA XHEZAIR ZAGANJORI xhezairzaganjori

Gjermania ndodhet në krizë politike. Më 7 nëntor 2024, pas largimit nga koalicioni qeverisës i Partisë Liberale (FDP), Qeveria humbi shumicën e domosdoshme në Buntestag (Parlament). Tani ajo mbështetet vetëm nga deputetët e Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe Të Gjelbrit. Në këto kushte, bazuar në nenin 68 të Ligjit Themelor (Kushtetutës), Kancelari është i detyruar të ndërmarrë nismën për të kërkuar votëbesimin në Parlament, e nëse nuk arrin të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve, ai duhet t’i rekomandojë Presidentit të Republikës ushtrimin e kompetencës së tij për të shpërndarë Bundestagun dhe për të shpallur ditën e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare. Dhe kështu u veprua. Më datën 11 dhjetor 2024, Koncelari Olaf Schols (SPD) paraqiti zyrtarisht në Bundestag kërkesën për votëbesim. Votimi u bë më 16 dhjetor 2024. Në mbështetje të Kancelarit votuan 207 deputetë, ndërsa kundër tij 394 deputetë. Të tjerët abstenuan. Meqenëse humbi votëbesimin, në të njëjtën ditë Kancelari i paraqiti Presidentit të Republikës rezultatet e votimit si dhe propozimin për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Presidenti ndërkaq, brenda 21 ditëve, që do të thotë deri më 6 janar 2025, duhet të caktojë datën e zgjedhjeve parlamentare, të cilat duhet të organizohen brenda 60 ditëve. Parimisht ka një konsensus të gjerë që ato të zhvillohen më 23 shkurt 2025.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, megjithëse praktikisht qeveria konsiderohet tashmë e “rrëzuar”, ajo, por edhe vetë Parlamenti, me kompetenca të kufizuara, duhet të vazhdojnë ushtrimin e detyrës deri në ditën kur do të mblidhet Parlamenti i ri si dhe të formohet prej saj edhe qeveria e re. Mekanizmat kryesorë të demokracisë duhet të jenë aty, të gatshëm për t’i shërbyer në çdo moment shtetit dhe individit. I tillë paraqitet edhe rasti i ndryshimeve të nevojshme kushtetuese, që synojnë forcimin apo çimentimin e vendit dhe rolit të Gjykatës Kushtetuese, si garante kryesore për mbrojtjen sa më mirë dhe në çdo kohë të Ligjit Themelor dhe të vlerave më të mira të demokracisë liberale në Gjermani. Në një artikull të botuar rreth tre muaj më parë (më 1 tetor 2024) po në gazetën “Panorama”, kemi vënë në dukje se një nismë e tillë është ndërmarrë bashkërisht në verën e këtij viti (2024) nga tri partitë e ish-koalicionit qeverisës (SPD, Të Gjelbrit dhe FDP) si dhe dy partitë e opozitës kryesore (CDU dhe CSU), si reagim ndaj krijimit dhe rritjes galopante të forcave politike të ekstremit të djathtë e të majtë, të cilat, në rast të arritjes së rezultateve të larta në zgjedhje, potencialisht do të përbënin rrezik për demokracinë në Gjermani.

Vlerësohet se në një skenar të tillë, me metoda e mjete të ndryshme “ligjore”, sulmet kryesore do të drejtoheshin fillimisht ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke synuar ndryshimin e përbërjes apo kompetencave thelbësore të saj, ashtu siç është vepruar edhe në disa vende të tjera, përfshirë këtu edhe shtete europiane (përmenden veçanërisht Hungaria e Polonia). Në rastin konkret, aludimet janë kryesisht për partinë e djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë,) e cila sipas sondazheve aktuale, në nivel kombëtar, mund të marrë rreth 20% të votave, si dhe për partinë e majtë BSE (Aleanca Sara Wagenkneht), e cila sipas sondazheve, po në nivel kombëtar, mendohet se mund të shkojë deri në 8-9% të votave. Këtu duhet shtuar gjithashtu se vetëm për shkak të aktit terrorist të pak ditëve më parë në Tregun e Krishtlindjeve në Magdenburg (më 21 dhjetor), mendohet se ka sërish një rritje në elektorat të këtyre dy partive, pasi ndër të tjera, në programet e tyre zgjedhore, ato parashikojnë kufizime e masa të rrepta ndaj emigrantëve. Pikërisht për këto arsye, reforma në fjalë ka për qëllim që disa nga rregullimet themelore lidhur me strukturën, kompetencat dhe organizimin e punës së Gjykatës Kushtetuese të Federatës, që deri tani përcaktoheshin në Ligjin mbi Organizimin dhe Funksionimin e kësaj Gjykate, të kalojnë në Ligjin Themelor (Kushtetutë). Kjo pasi duke qenë në ligje, ato mund të ndryshohen lehtësisht e në çdo kohë përmes një shumice të thjeshtë në Parlament, ndërsa për të bërë ndryshime në dispozitat Kushtetuese do të duhej në çdo rast një shumicë prej dy të tretave si në Bundastag, ashtu edhe në Bundesrat, gjë që është e vështirë, në mos e pamundur të arrihet, pa bashkëpunimin me forcat politike opozitare. Konkretisht, në nenet 93 dhe 94 të Kushtetutës bëhen këto shtesa e ndryshime kryesore, duke përcaktuar se:

r se: 1-Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 16 gjyqtarë, të ndarë në dy Senate me nga 8 gjyqtarë. Pra, nuk do të ketë mundësi të shtohet apo pakësohet numri i gjyqtarëve apo senateve.

2-Mandati i anëtareve të Gjykatës Kushtetuese do të jetë 12 vjet, pa të drejtën e rizgjedhjes. Gjyqtari kushtetues qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e zëvendësuesit të tij. Mandati i gjyqtarit kushtetues ndërpritet edhe me arritjen e moshës 68 vjeç, kohë në të cilën ai duhet të dalë në pension. Pra, nuk mund të ulet apo rritet mosha e daljes në pension, duke bërë ndryshime e kalkulime mbi bazën e interesave partiake.3-Sipas radhës, gjysma e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga Bundestagu dhe gjysma nga Bundesrati. Në çdo rast kërkohet që kjo zgjedhje të bëhet me të paktën 2/3 e anëtarëve të Bundestagut e Bundesratit. Nëse për arsye politike apo arsye të tjera me natyrë bllokuese, organi respektiv nuk arrin të bëjë brenda tre muajve zgjedhjen e kandidatit të propozuar, atëherë kjo kompetencë i kalon organit tjetër (pra nga Bundestagu në Bundesrat ose anasjelltas).

3-Organizimi i punës dhe vendosja e kritereve mbi rendin e gjykimit të çështjeve përcaktohen nga vetë Gjykata Kushtetuese. Vetëm ajo ka të drejtë të vlerësojë përparësitë apo urgjencën e çështjeve që i paraqiten për gjykim.

4-Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim. Asnjë organ kushtetues apo mekanizëm tjetër shtetëror nuk ka të drejtë të zvarrisë apo të vërë në dyshim zbatimin e plotë të këtyre vendimeve. Në fakt, projekti për këto ndryshime kushtetuese u përgatit përfundimisht nga grupi i ekspertëve të partive iniciuese dhe u diskutua në një tryezë të përbashkët me konstitucionalistët e universiteteve më të njohura në Gjermani, që në tetor të këtij viti, por për shkak të krizës qeveritare të përshkruar më sipër, nuk u bë e mundur që kjo çështje të futej gjatë muajit nëntor në rendin e ditës së Bundestagut. Me “rrëzimin” e Qeverisë dhe fillimin e procedurës për shpalljen e zgjedhjeve të reja, u duk sikur çështja e ndryshimeve kushtetuese do të lihej mënjanë, sepse fushata zgjedhore tashmë ka filluar, biles me intensitet e tone mjaft të ashpra. Megjithatë, të ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe urgjencën e kësaj çështjeje, partitë kryesore tradicionale gjermane të koalicionit qeverisës dhe opozitës, përmendur më sipër, ranë dakord që edhe në këtë situatë, brenda këtij viti, ashtu siç kishin premtuar, ta materializonin përfundimisht realizimin e kësaj reforme.

Mbi këtë bazë, javën që kaloi, më 19 dhjetor 2024, Bundestagu votoi projektin për ndryshimet kushtetuese që synojnë forcimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e saj nga bllokimi, presioni apo ndikimi politik. Në votim morën pjesë 600 deputetë, prej të cilëve vetëm 69 ishin kundër. Pra, u arrit dhe u tejkalua qartësisht shumica e kërkuar prej dy të tretave të deputetëve, e domosdoshme për ndryshimet kushtetuese. Një ditë më pas, pra më 20 dhjetor 2024, me të njëjtën shumicë prej dy të tretave, këto ndryshime u votuan edhe në Bundesrat, gjë që do të thotë se ky proces përfundoj me sukses. Duke folur për këto ndryshime, Nancy Faeser, ministre Federale e Punëve të Brendshme, vuri në dukje për median se, “Kjo reformë kushtetuese ishte e domosdoshme veçanërisht për rastet kur në pushtet mund të vijnë armiq të demokracisë, pavarësisht se një gjë e tillë mund të arrihet përmes votës së lirë”. Ajo kujtoi gjithashtu se Kushtetuta e Waimarit dështoi ta bënte diçka të tillë pas Luftës së Parë Botërore, pasi nuk krijoi institucione të forta për mbrojtjen e shtetit të së drejtës. Andrea Lindholz, zv. kryetare e fraksionit opozitar CDU/CSU në Bundestag u shpreh se “…vullneti ynë për ta përfunduar këtë reformë nuk ndryshoj edhe pas ‘rënies’ së koalicionit qeverisës, sepse ne vlerësojmë se forcat demokratike duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht për çështje të tilla.

Vetëm kështu garantohet demokracia jonë, shteti i së drejtës… si dhe besimi i qytetarëve në vlerat e demokracisë..”. Ministri Federal i Drejtësisë Marco Buschmann, duke vlerësuar këtë reformë, theksoi ndër të tjera se, “Edhe në kushtet normale, pushteti legjitim demokratik duhet të kufizohet me ligj, sepse përndryshe do të kërcënohemi vazhdimisht nga tirania e shumicës…”. Duke folur në Bundesrat, Marion Gentges, ministre e Drejtësisë së Landit Baden–Wurttemberg, tha ndër të tjera se “…Praktika tregon qartë se forcat politike autoritare, sapo sigurojnë shumicën në parlament, kanë shpesh si objektiv kryesor pikërisht shmangien apo kontrollin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, në kohën e radikalizmit të jetës politike, Gjykata Kushtetuese ka nevojë për një mbrojtje më të mirë e më të sigurt… Pikërisht për këto arsye, edhe Bundesrati duhet të mbështesë ndryshimet kushtetuese të votuara një ditë më parë në Bundestag… Me këtë akt, Bundesrati jep njëkohësisht edhe sinjalin e fortë se Federata dhe Landet bëhen gjithnjë bashkë kur rrezikohet të cenohen institucionet demokratike të vendit tonë…”. Së fundi, duhet theksuar se vetë politika është një proces dinamik, që nuk ka as fillim dhe as fund.

Si e tillë, në momente të caktuara ajo mund të jetë e paparashikueshme, sepse në të ndikojnë shumë rrethana, ngjarje e zhvillime të brendshme e të jashtme. Normalisht ajo duhet të synojë gjithnjë mbrojtjen sa më mirë të interesave të shtetit e të qytetarëve. Megjithatë, edhe në demokracinë si formë e qeverisjes ndodh që për shkak të vlerësimeve të gabuara, programeve të gënjeshtërta e mashtruese, apo interesave primitive, të ngushta e meskine, politika të ndryshojë, ekstremizohet e radikalizohet majtas apo djathtas, duke rrezikuar kështu seriozisht parimet e shtetit të së drejtës, perspektivat e zhvillimit të vendit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Në këto kushte, marrja e masave paraprake me natyrë kushtetuese kundër fenomeneve të tilla natyrisht që duhet përshëndetur, por në asnjë mënyrë nuk mund të mendohet se ato e mënjanojnë plotësisht rrezikun e rikthimit në regjime diktatoriale, totalitare apo autoritare. Sado të plota e të mirëmenduara të jenë, në asnjë rast këto masa nuk mund të garantojnë mbrojtje absolute. Këtë e tregon edhe historia politike e afërt dhe e largët. Vetë krijimi i Gjykatave Kushtetuese pas Luftës së Dytë Botërore, duke filluar me Gjermaninë dhe përhapjen më pas të këtij modeli veçanërisht në Europë, nuk ishte gjë tjetër veçse një mësim i hidhur nga fati i Republikës së Waimarit (1919-1933), që në fakt bazohej në një kushtetutë mjaft të mirë për kohën. Por rezultoi se ajo linte mjaft hapësira për keqpërdorim, ashtu siç vepruan realisht edhe nazistët.

Me ardhjen në pushtet me “mjete demokratike” të Hitlerit në Janar të vitit 1933, vetëm dy muaj i mjaftuan të bënte dy lëvizje të shpejta apo të ndërmerrte dy masa ligjore “të thjeshta” për ta nxjerrë thuajse tërësisht jashtë funksionit këtë kushtetutë (Kushtetutën e Waimarit të vitit 1919). Duke përfituar nga djegia e pjesshme e Rajshtagut në natën e 27 shkurtit 1933, ai e nxiti dhe e bindi Hindenburgun të miratonte një Dekret Presidencial të veçantë, përmes të cilit u suprimuan shumë të drejta e liri civile, si liria e shprehjes, e drejta e protestës, liria e organizimit e tubimit paqësor, elementët kryesorë të procesit të rregullt ligjor, e të tjerë. Mbi këtë bazë Hitleri filloi menjëherë edhe përndjekjen, arrestimin dhe zhdukjen e kundërshtarëve politikë. Një muaj më vonë, më 24 mars 1933, po me nismën e Hitlerit do të miratohej ligji famëkeq Ermaechtigung Gesetz (Ligji Autorizues), përmes të cilit, qeverisë së drejtuar prej tij i jepej e drejta e miratimit të ligjeve pa pyetur fare Parlamentin, duke injoruar kështu tërësisht Kushtetutën dhe parimin themelor të qeverisjes të ndarjes e balancimit të pushteteve.

. Me këtë ligj hapej rruga e vendosjes së diktaturës totalitare naziste si dhe fillimi i garës së shfrenuar të armatimit, në funksion të planeve të Hitlerit për agresion ndaj shteteve të tjera. Është interesant të vihet në dukje se ky ligj kishte vetëm pesë nene. Ne nenin e parë thuhej se përveç Parlamentit, ligjet mund të miratohen edhe nga qeveria. Në nenin e dytë thuhej se ligjet e miratuara nga qeveria mund të shmangin Kushtetutën. Në nenin e tretë thuhej se ligjet e miratuara nga qeveria nënshkruhen vetëm nga kancelari (Hitleri) dhe botohen në Gazetën Zyrtare. Në nenin e katërt thuhej se qeveria ka edhe kompetencën e përfundimit të traktateve ndërkombëtare, pa marrë pëlqimin e autoriteteve legjislative. Në nenin e pestë thuhej se ky ligj hyn në fuqi menjëherë. Pra, një ligj shumë i shkurtër e shumë i thjeshtë, por i tmerrshëm e vdekjeprurës për demokracinë. Sigurisht që aktualisht ende nuk mund të bëhet fjalë për situata të tilla. Për më tepër, edhe kritikat apo akuzat që ngrihen referohen e interpretohen thuajse tërësisht në elementë të caktuar të programeve politike apo deklarimeve të drejtuesve të veçantë partiake gjatë fjalimeve, intervistave apo fushatave zgjedhore në nivel landi apo në nivel federal. Sidoqoftë, ndryshimet kushtetuese të përmendura më sipër janë mirëpritur edhe nga opinion i gjerë. Vlerësohet me të drejtë se asnjëherë nuk është e tepërt të merren masa sa më efektive për mbrojtjen e demokracisë, sepse nesër mund të jetë vonë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →