ILIR CENOLLARI/ Në vazhdën e shkrimeve me tema dhe motive shqiptare po sjellim në vëmendjen e lexuesit disa ide dhe mendime të Isuf Luzajt që rrahin mentalitetin shqiptar nga pikëpamja morale, fizolofike, sociale dhe psikologjike. Mendimtarët e të gjitha kohërave bashkohen në qiellin shqiptar sepse ndajnë të njëjtat mendime, shqetësime dhe përjetime.
Ky unitet mendimesh i bënë më të vërtetë në sytë e kohës, idetë e tyre dhe më të vërteta dhe më madhështore. Po pse nuk duam të reflektojmë, të nxjerrim mësime, të ndryshojmë? Isuf Luzaj në veprën “Kujdeset e Bletës”, vëlimi 1, faqe 125, thekson: “Në studimet e mia “Procesi evolutiv i fuqive shpirtërore” dhe “Rindërtimi i fuqive shpirtërore”, kam parashtruar idetë për një historoigrafi shqiptare me baza psikologjike, sociologjike dhe etike. Pse arriti në këtë ide profesori i filozofisë? Për disa arsye.
Së pari, pa shpirtin e kritikës, më saktë të autokritikës, nuk arrihet te vërtetësia, tek e vërteta. Pa shkulur nga shpirti mendjemadhësinë, fodullëkun, cinizmin, lajkatërinë, mburrjen dhe vetëkënaqësinë nuk bëjmë dot përpara.
Së dyti, kjo më duket kryesorja, jetën tonë shoqërore duhet ta sundojmë ne dhe jo ajo ne, si të jemi një qenie amorfe. Si studiues i thellë i historisë shqiptare, kam vërejtur se anarkia është tipari kryesor që ka dominuar jetën tonë në shekuj dhe vazhdon ta dërrmojë me fuqi shkatërrimtare. Anarkia s’është gjë tjetër veçse rastësi, inerci, instikt, pafuqi, fatalizëm, kaos dhe rrëmujë, të ndodhë ç’të ndodhë, të dalë ku të dalë, të shkojë ku të shkojë, shkurt verbëri, paqëllimësi, vuajte, mjerim. Isuf Luzaj më tutje ndalet te disa tipare origjinale të racës iliro-trake, përkatësisht shqiptare. Shqiptari i të gjitha kohrave është vërvitur në aventura çmendurie, në aventura vetëvrasëse, në luftra qorre, në kauza të paqena duke përqafuar kauza të panjohura fare.
Veçori e parë e racës iliro-trake (shqiptare) është natyra serioze, e zymtë, e ngrysur dhe trishtuese, që e pengon të jepet pas jetës së gëzueshme dhe argëtimeve. Shqiptari i sotëm është shpirtërisht i mbyllur, fizikisht i vrenjtur dhe duhet një shkak i fortë për ta bërë për të qeshur, për shembull një lindje fëmije, një dasmë familjare apo një dozë e mirë alkooli. Por dhe në raste kënaqësie shqiptari është i trishtuar. Kur ndonjëherë, rrallë, ndonjëri i bën të tjerët për të qeshur, do dilte dikush që ta mallkonte: “Të vraftë Zoti që na bëre të qeshim”! Krijimtari shpirtërore shqiptare, këngët, vallet, proverbat, shprehin trishtim, mërzi, melankoli, nostalgji ose trimëri heronjsh e dëshmorësh. Psikologjia na mëson se kur nuk ka kënaqësi shpirtërore, humor të mirë, gas dhe lumturi nuk ka art të asnjë lloji. Ku e ka burimin zymtësia, ngrysja, trishtimi shqiptar, zemërimi, mëria, nervozizmi, mosbesimi, mërzia shqiptare?
Në faktin se historia jonë ka qenë vetëm histori mbijetese, histori luftërash dhe tragjedish të njëpasnjëshme. Guximi dhe trimëria e tepruar i detyrohen mungesës së shijimit të jetës. Shqiptaria, patriotizmi, shpirti i lirisë rrojti më tepër në male se në qytete ku gëlonin spiunët dhe spiunllëqet. Në kohën time qe e pamundur të uleshim në një tavolinë më tepër se dy veta. Spiunët bënin karrierë të madhe. Si pasojë e mbylljes së shpirtit në “dhoma çeliku” u formua karakteri shqiptar dhe kokëfortësia shqiptare. Kur shqiptari ngul këmbë në mendimin e tij s’ka filozof dhe shenjtor t’i ndryshojë mendjen. Shqiptari është njeri i pavarur, këmbëngulës, i padisiplinuar, i heshtur, i mërzitur, inatçi, hakmarrës. Shqiptari flet pak dhe ky virtut i ka bërë dëm sepse nuk e ka lëvruar gjuhën duke i dhënë elasticitetin e gjuhëve moderne. Mungesa e artit shpie një rreth vicioz dhe e forcon më shumë egërsinë e shpirtit.
Mungesa e letërsisë artistike e provon këtë të vërtetë dhe mungesa e poezisë së dashurisë e bënë këtë sentencë (apoftegmë, maksimë, pohim) të shenjtë. Folklori ynë është i mbushur me epizëm, me bëma heroike, me trimëri dhe luftë. Poezia lirike, ndryshe nga ajo epike, që shpreh veprim, kërkon një gjuhë të stërholluar sepse shpreh gjendje shpirtërore, ndjenja dhe mendime. (Kjo detyrimisht kërkon fjalor të pasur dhe lëvrim të gjuhës sepse fjalët e zakonshme s’maftojnë, gjuha duhet shpikur nga e para, duhet folur me simbole, figura poetike, metafora, fjalë të zgjedhura, etj. Shënim im). Këto tipare e kanë penguar shpirtin artistik pasi mendja e tredhur nuk gjeneron dot jetë të re dhe origjinale në asnjë nga artet fisnike: poezi, muzikë, pikturë, arkitekturë, skulpturë, as në industrinë gastronomike nuk kemi asgjë kombëtare për mungesë imagjinate dhe vobektësi lëndore.
Dhe rinia (e kohës sime, e viteve 1930-1940) kishte tendencë melakolinë, mërzinë, ankimin në çdo fushë të jetës sonë kombëtare. Melankolia shqiptare duket si te pasaniku si te i vobekti, si te qeveritari si te beu e bujku, si në Myzeqe si në Labëri, Kolonjë, Tomor, Gramoz, Korab, Shkodër dhe Kosovë. Si sot, rinia, aq më pak shoqëria, nuk ka vullnet të luftojë për ndryshimin e realitetit, por dorëzohet me dëshirë në krahët e fatalizmit, dëshpërimit, apo largimit nga atdheu. Shqiptari është bujar për krenari. Për një darkë miku ther dashin e vetëm. Shqiptari luftën e bën me kënaqësi dhe vdekjen e pret me tallje dhe përçmim. Nuk ka shijen e së bukurës, ndonëse ka bregdetin më të bukur të Evropës për të mos thënë të botës, nuk është popull peshkatar dhe merret me pirateri dhe kusari. Nuk e njeh jetën shoqërore sepse ka rrojtur i vetmuar dhe njerëzit janë lidhur me njëri-tjetrin vetëm nëpërmjet fisit dhe ligjit të besës. Ky tipar është i njëjtë për iliro-thrakun, epirotin dhe etruskun.
/Gazeta Panorama