Përballja presidenciale/ Çfarë pritet të ndodhë në debatin Trump-Harris, disa nga pyetjet kyçe rreth tij

perballja presidenciale cfare pritet te ndodhe ne debatin trump harris disa nga pyetjet kyce rreth tij





































Donald Trump dhe Kamala Harris do të debatojnë për herë të parë dhe ndoshta të fundit – të martën në mbrëmje, ndërsa kandidatët presidencialë po bëjnë përpjekje për të rritur mbështjen mes votuesve amerikanë.

harris trump

Përballja mes tyre vjen vetëm 75 ditë pas një paraqitjeje të dobët të Presidentit Joe Biden në debat, çka shkaktoi një tërmet politik, duke e detyruar atë të largohej nga gara.

Nënpresidentja Harris, e cila ka shërbyer më parë si prokurore, do të hyjë në debat me pritshmëri relativisht të larta, kundër një kundërshtari të shpallur fajtor për 34 akuza panale e me prirje për deklarata të rreme.

Debati që do zgjasë 90 minuta fillon në orën 21:00 në mbrëmje të martën në Qendrën Kombëtare Kushtetuese në Filadelfia. Në përputhje me rregullat e negociuara nga zyrtarët e të dyja fushatave, debati do të zhvillohet pa audiencë.

A mund të bëjë Harris atë që nuk mundi të bëjë Biden?

Presidenti Biden vendosi një sdandard tepër të ulët për Harris me debatin e 27 qershorit. Presidenti hasi në vështirësi të ofronte argumente koherente, apo edhe të përfundonte mendimin.

Koalicioni anti-Trump, mbeti i zhgënjyer që ai dështoi të përfitonte nga barra e dukshme politike që mbart Trump – qoftë për abortin, sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar, për çështje që lidhen me karakterin, apo problemet e tij ligjore.

Harris pritet që të ketë një paraqitje shumë më të mirë. Por edhe në këto kushte, të fitosh pikë kundër Trump në skenën e një debati është më e lehtë të thuhet sesa të ndodhë.

Trump mund të jetë debatuesi më me përvojë në historinë moderne presidenciale. Si një ish-yll i televizionit, ai di si ta dominojë atë. Dhe qartësisht atij i pëlqen të debatojë.

Së fundmi Harris ka sugjeruar se ajo po përgatitet për një përplasje politike.

“Donald, nëse ke diçka për të thënë, ma thuaj në fytyrë”, tha ajo duke folur në një tubim muajin e kaluar në Atlanta.

Por a mund ta përballojë ajo një debat të fortë? Kjo mbetet për t’u parë.

A mund të përqëndrohet Dondal Trump-i?

Trump nuk njihet për disiplinë, apo përgatitje. Paraqitjet e tij në debate, ashtu si stili i tij qeverisës, zakonisht ushqehen shumë më tepër nga instinkti, sesa nga të menduarit analitik.

Ndaj, pak presin që Trump të ofrojë një linjë të qartë e të menduar akuzash kundër Harris.

Trump ka vënë në dyshim identitetin racor të Harris. E ka quajtur atë komuniste. Ka vënë në dyshim fuqinë e saj. E ka quajtur atë një liberale të San Franciskos. Dhe i ka kujtuar votuesve se ajo ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Biden, për gati katër vjet dhe me gjasë, do të vazhdojë politikat e tij edhe për katër vitet e ardhshme nëse i fiton zgjedhjet.

Është lidhja me Biden, që shumë republikanë, si brenda ashtu edhe jashtë fushatës së Trump, besojnë se do të jetë më e efektshme për të në debat. Ata duan që ai të evokojë pyetjen që shtroi Ronald Regan në skenën e debatit të vitit 1980, një fjali që e bëri atë popullor – “A jeni sot më mirë se ç’ishit katër vite më parë?

Pyetja që shtrohet është nëse Trumpi mund ta përçojë këtë mesazh në një mënyrë që të mos harrohet menjëherë nga ndonjë deklaratë tjetër e tij shumë më e debatueshme. Të dhënat e fundit ofrojnë arsye për të qenë skeptik.

Rëndësia e gjuhës së trupit

Natyrisht, do të ketë një dinamikë të dukshme gjinore në skenë të martën në mbrëmje.

E drejtë ose jo, gjuha e trupit dhe toni, shihen ndryshe në një debat mes një burri dhe një gruaje.

Kandidatët pritet të qëndrojnë pas podiumit gjatë debatit. Por republikanët shpresojnë që Trump do të shmangë çdo provokim, si për shembull duke drejtuar gishtin ndaj Harris, ngritje zëri, ose të ecë drejt saj, veprime që nuk do të shiheshin me sy të mirë nga një pjesë e votuesve gra.

Harris, pritet të përballet me sfida unike, sikurse ajo që lidhet me racën dhe gjininë e saj, ndërsa amerikanët po peshojnë nëse do ta votonin atë si presidenten e parë grua të vendit. Disa votues ende thonë se nuk e duan këtë gjë.

Por krahas dinamikës gjinore, ajo që nuk duhet nënvlerësuar është pesha që ka diferencës e tyre në moshë.

Harris është pothuajse dy dekada më e re se 78-vjeçari Donald Trump. Mosha shihej si një avantazh politik për Trump, kur ai përballej me 81-vjeçarin Joe Biden, por situata tashmë ka ndryshur kur ka përballë 59-vjeçaren Kamala Harris. Nëse fiton, Donal Trump do të jetë presidenti më i vjetër në historinë e Shtetet e Bashkuara.

Formati i debatit do të jetë disi i ndryshëm, në përputhje me një sërë rregullash për të cilat kandidatët ranë dakord këtë javë.

Në mjediset ku do të mbahet debati nuk do të ketë publik si dhe nuk do të lejohen deklarata hapëse. Mikrofonat e kandidatëve do të mbyllen ndërsa flet kundërshtari, çështje që nxiti polemika ditët e fundit.

Trump, pa shumë dëshirë, pranoi mbylljen e mikrofonave kur u përball me Biden në qershor, por pas atij debati, ekipi i tij tha se do të ishte mirë që mikrofonat të qëndronin mbyllur ndërsa kundërshtari fliste. Ekipi i Harris kërkoi rikthimin në një format normal, me mikrofona gjatë gjithë kohës hapur.

Aborti dhe emigracioni, çështje që do dominojnë

Politika ndonjëherë luan një rol dytësor pas personalitetit në debatet presidenciale.

Por mes dy kandidatëve ka dallime dramatike për çështje kyçe që janë në mendjen e miliona votuesve.

Republikanët shpresojnë që Trump ta trajtojë imigracionin si një çështje thelbësore të debatit. Republikanët kanë dënuar në mënyrë efektive trajtimin e imigracionit të paligjshëm nga ana e administratës Biden në kufirin SHBA-Meksikë, për pjesën më të madhe të katër viteve të fundit.

Dikur një çështje që tërhiqte më së shumti bazën republikane, imigracioni i paligjshëm dhe shqetësimet e lidhura me drogën, krimin dhe sigurinë kombëtare, janë tashmë një çështje kryesore për votuesit e të gjithë spektrin politik.

Harris me gjasë do të përpiqet t’u kujtojë votuesve se Trump ndihmoi në rrëzimin e një projektligji dypartiak mbi imigracionin që do të kishte bërë shumë, për t’i dhënë zgjidhje problemit. Por në përgjithësi, Harris ka të ngjarë të qëndrojë në pozita mbrojtëse, kur të ngrihet çështja.

Demokratët duan përqëndrim tek aborti

Gjatë administratës së tij Trump, caktoi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët më vonë rrëzuan vendimin historik ‘Roe kundër Wade’ që orfonte mbrojtje kushtetuese për të drejtën e grave për abort. Trump ka thënë vazhdimisht se ai është krenar që ky vendim u rrëzua.

Por ai është i vetëdijshëm se një pikëpamje e tillë nuk është popullore në mesin e shumë grave, ndaj është përpjekur ta moderojë qëndrimin e tij mbi çështjen që ka nxitur shumë përçarje në vend.

Megjithatë Harris nuk do t’ia bëjë të lehtë.

Si grua, ajo mund të jetë më efektive në trajtimin e kësaj çështjeje sesa ishte Biden. Po kështu Trump nuk ka luksin të humbasë më shumë votuese gra.

Situatat e paparashikueshme që mund të krijojë Trump

Nëse i pyet kundërshtarët e mëparshëm gjatë debateve të Trump se çfarë presin ata të shohin të martën në mbrëmje – shumë thonë të njëjtën gjë: kushtojini vëmendje asaj që ai thotë, ose bën, e për të cilat Harris nuk mund të përgatitet.

Trump është mjeshtër i të paparashikuarës, që ka korrur sukses të jashtëzakonshëm politik duke injoruar rregullat tradicionale të politikës. Ai do të thotë ose do të bëjë gjithçka që mendon se është më e mira në këtë moment. Dhe Harris, e cila i ka kushtuar disa ditë përgatitjes për debatin, nuk mund të planifikojë gjithçka.

Por në këtë pikë, është e vështirë të imagjinohet që Trump mund të befasojë dikë me çështje të reja. Ai ka vlerësuar diktatorët, ka sugjeruar pezullim të zbatimit të Kushtetutës dhe ka thënë se Harris vetëm së fundmi ka thënë se është “zezake”.

Edhe vetë ekipi i Trump gjendesh shpesh përpara të papriturash, në raport me atë që ai parashikon të thotë apo bëjë. Kjo është tepër e rrezikshme për Trump, por gjithashtu ushtron presion të madh tek Harris./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →