Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka thënë se shpreson që Kosovës t’i hiqen shpejt masat, edhe nëse kjo ndodh në mënyrë graduale.
Në një konferencë për media të hënën në mbrëmje, Borrelli është pyetur edhe për takimin e liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, të ftuar për të mërkurën. Përfaqësuesi që është në fund të mandatit, ka thënë se e ka parë të domosdoshme të rikthehen takimet e nivelit të lartë “për të kuptuar ku jemi”.
“Natyrisht, vazhdoj të përpiqem që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrijë zgjidhje operative.
Tashmë e kemi një marrëveshje, kemi marrëveshjet e Ohrit. Problemi është që marrëveshjet duhet të zbatohen.
Palët nuk kanë mundur t’i zbatojnë për njërën apo tjetrën arsye.
Mendoj se ishte e domosdoshme të vazhdojmë takimet e nivelit të lartë që të kuptojmë ku jemi, sidomos në kohën kur shtetet anëtare po e diskutojnë propozimin tim për t’i hequr sanksionet ndaj Kosovës.
Nëse këto sanksione hiqen shpresoj që po, të paktën ky është propozimi im, edhe nëse gradualisht, por shpejt mund të krijojnë një skenar në të cilin dialogu, jo që po them se do të vazhdojë, por të paktën s’do të mbyllet në mënyrë të papritur”, ka thënë ai.
Javën e shkuar, përfaqësues të vendeve të BE-së nisën diskutimet për heqjen e masave ndaj Kosovës, në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ku janë ambasadorët e vendeve anëtare.
Masat të cilat i janë vendosur Kosovës një vit më parë pritet që të hiqen gradualisht dhe pjesërisht, teksa kjo do të bëhet e ditur gjatë ditëve në vijim, patën të ditur të enjten për KOHËN disa burime diplomatike në Bashkimin Evropian (BE).
Heqja “graduale” e masave, sipas burimeve, është një kompromis i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pasi që ato nuk janë pajtuar që të gjitha se Kosova i ka përmbushur në tërësi kërkesat e vendosura nga BE-ja. Bazë për diskutim ka qenë raporti i Borrellit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co