Rusia ka qenë partnere dhe aleate kryesore ekonomike e Armenisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Armenia, një vend pa dalje në det dhe që ishte dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, ka një bazë ushtarake ruse dhe është pjesë e aleancës së sigurisë të udhëhequr nga Moska, Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive.
Lidhjet e Armenisë me Rusinë, megjithatë, janë tensionuar gjithnjë e më shumë që kur Azerbajxhani kreu një fushatë të befasishme ushtarake vitin e kaluar për të marrë rajonin e Karabakut, duke i dhënë fund tre dekadave të kontrollit nga separatistët armenë.
Autoritetet armene akuzuan paqeruajtësit rusë, që u vendosën në Nagorno-Karabak pas një raundi të mëparshëm të konfliktit në vitin 2020, se nuk arritën të ndalonin sulmin e Azerbajxhanit. Moska i hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se trupat e saj nuk kishin mandat për të ndërhyrë.
Rusia është angazhuar në një akt delikat balancimi, duke u përpjekur të ruajë marrëdhëniet e ngushta me Armeninë, duke ruajtur gjithashtu lidhje të ngrohta me Azerbajxhanin, si dhe aleaten e saj kryesore Turqinë, një partnere kryesore ekonomike për Moskën, ndërsa vazhdojnë sanksionet perëndimore.
Kremlini ka shfaqur zemërimin për përpjekjet e kryeministrit Nikol Pashinyan për të thelluar lidhjet e Armenisë me Perëndimin dhe për ta larguar vendin e tij nga aleancat e dominuara nga Moska.
Rusia ishte veçanërisht e shqetësuar nga vendimi i Armenisë për t’u anëtarësuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, e cila vitin e kaluar ngriti paditi ndaj presidentit rus Vladimir Putin për krime lufte të dyshuara, lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ndërsa hendeku në marrëdhënien me Rusinë vazhdonte të zgjerohej, Armenia ngriu pjesëmarrjen e saj në aleancën e sigurisë të dominuar nga Rusia, anuloi përfshirjen e saj në stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe nuk mori pjesë në takimet e nivelit të lartë të këtij blloku.
Edhe në shtator 2023, Armenia organizoi stërvitjet “Eagle Partner”, duke shkaktuar shqetësim në Moskë, ku zyrtarët e quajtën këtë hap “jomiqësor”./VOA
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co