Në përvjetorin e 25-të të masakrës së kryer në Podujevë nga njësiti serb “Skorpionët”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te varrezat e të vrarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, ndërsa presidentja e vendit, Vjosa Osmani e kujtoi atë përmes një postimi në Facebook.
Osmani ka thënë se strategjia e regjimit gjenocidal të Serbisë kundrejt shqiptarëve pa dallim moshe ishte shfarosja dhe spastrimi etnik.
“25-vjet më parë, forcat kriminale vranë në mënyrë mizore 14 anëtarë të familjeve Bogujevci e Duriqi, në mesin e të cilëve 7-fëmijë të moshës 2 deri 15 vjeç dhe 7 gra.
Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci janë dëshmitarë të aktit makabër, ndaj këto dëshmi janë në funksion të kujtesës dhe të sjelljes se autorëve para drejtësisë.
Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur drejtësia të vihet në vend! Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e familjeve Bogujevci dhe Duriqi”, shkruhet në postimin e presidencës.
Ndërsa, kryeministri Kurit tha se njësoj të bashkuar janë edhe sot në kujtim dhe në nderim të rënies së tyre për tokën e Kosovës dhe për lirinë e popullit.
“Ata na e kujtojnë dhe përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe lirisë, që e gëzojmë sot, se si rrënjët e shtetit dhe të lirisë janë te gjaku i martirëve dhe dëshmorëve. Njëkohësisht, zëri ynë do të jetë gjithnjë më i fuqishëm si institucional ashtu edhe qytetar për kërkim të drejtësisë”, theksoi kryeministri.
Në mesin e të mbijetuarve të kësaj masakre, kryeministri përmendi Saranda Bogujevcin, tashmë deputete dhe nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila bashkë me të mbijetuarit e tjerë i bënë ballë breshërive të plumbave dhe të cilët sot janë ndër dëshmitarët e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Duke i dhënë theks nevojës për drejtësi institucionale në Kosovë dhe në rajon, kryeministri Kurti vazhdoi duke i bërë thirrje edhe një herë Prokurorisë në Kosovë të punojnë në ndjekjen e kriminelëve dhe vënien e drejtësisë, e cila do të finalizohej me vënien prapa grilave të vrasësve mizorë të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu.
Ngjashëm, u shpreh edhe Enver Duriqi, të cilit në këtë masakër iu vranë katër fëmijë të moshave 3, 5, 8 edhe 10 vjeç, bashkë me gruan dhe prindërit.
“Është mbajtur një gjykim sa për sy e faqe dhe kisha me quajt se ata i kanë metodat e veta, injorojnë, nuk gjykojnë, nuk i pranojnë krimet, por si do që të jetë, ne do të qëndrojmë edhe më të fortë”, deklaroi Duriqi.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co