Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha në një prononcim për gazetarin Enrik Mehmeti deklaroi se gjatë 24 orëve pas përmbytjeve, të gjitha strukturat e Bashkisë së Vlorës kanë punuar me përkushtim për t’u përballur me pasojat e reshjeve të dendura, duke përfshirë ekipet e pastrimit, shërbimet emergjente, si dhe mbështetjen nga Ministria e Mbrojtjes.
“Falë solidaritetit, kemi marrë ndihmë nga bashki të tjera, si Shkodra, Tirana, Durrësi, Berati dhe Fieri, për të vendosur situatën nën kontroll sa më shpejt të jetë e mundur. Reshjet e shiut, që filluan intensivisht dje dhe zgjatën për disa orë, kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qytetit. Përpjekjet tona janë përqendruar për të ndihmuar çdo familje dhe biznes të prekur nga reshjet”, tha ai.
Dredha theksoi se në ditët në vijim, bashkia, së bashku me grupet e dedikuara, do të dalë në terren për të ndihmuar qytetarët dhe për t’u siguruar që ata marrin mbështetjen financiare të nevojshme, për të rikthyer normalitetin në jetët e tyre. Si gjithmonë, Bashkia e Vlorës është pranë komunitetit dhe do të bëjë çmos për të mbështetur ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.
“Edhe pse situata ishte përtej parashikimeve dhe mundësive tona, me reshje prej 180 mm në dy orë, jemi të vendosur të mos ndalemi për të adresuar çdo problem që do të dalë. Ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. Ne jemi këtu për ju dhe gjithmonë do të jemi krah për krah për ta bërë Vlorën një vend më të mirë”, u shpreh ai.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co