Grupimi më i madh i opozitës – “Rithemelimi” i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe mazhoranca e kryeministrit Edi Rama duket se janë në prag të një marrëveshje për ndërprerjen e protestës në Kuvend, pas një raundi bisedimesh të përfaqësuesve të tyre gjatë javës së kaluar.
Protagonistë nga të dyja palët i thanë BIRN se kishin zhvilluar bisedime mes tyre rreth tre çështjeve kyçe; ngritjen e të paktën dy komisioneve hetimore parlamentare, reformën zgjedhore si dhe ndryshime të mundshme ligjore për reformën në drejtësi.
Negociatat mes palëve synojnë të rikthejnë në Kuvend deputetët e opozitës, pas katër muajsh të tensionuar të aksionit opozitar për bllokimin e punimeve parlamentare për shkak të refuzimit të ngritjes së komisioneve hetimore dhe përfaqësimit në komisionin e reformës zgjedhore.
Në anën tjetër, ideja për ndryshime ligjore në sistemin e drejtësisë rikthehet disa muaj pasi një grup pune i përbashkët u tërhoq nga propozimet fillestare, pas kundërshtimit të ekspertëve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Socialistët duken të vendosur për ta rihapur çështjen e reformës në drejtësi, siç sugjeroi Kuvendi përmes një njoftimi të hënën pas takimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla me të ngarkuarin me punë të SHBA-ve në Tiranës, David Wisner.
“Kryetarja Nikolla nënvizoi se Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike,” thuhet në njoftim.
I pyetur nëse ka kompromis për rikthimin e Kuvendit në normalitet, shefi i kabinetit të Nikollës, Kosta Bajraba i tha BIRN se “do të kemi”. Kuvendi njoftoi gjithashtu se të martën do të mbante mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve me rend dite “disa saktësime në kalendarin e punimeve për periudhën 18 mars – 5 prill 2024”.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk nxitoi të komentonte para kohe, duke pritur zhvillimet në mbledhjen e së martës. Megjithatë, Bardhi i tha BIRN se ishte në bisedime me PS-në për të tre çështjet, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Socialistët, të betuar më parë se nuk do të negocionin me “non gratat”, po kujdesen që t’i paraqesin bisedimet si institucionale dhe jo politike.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali këmbënguli në një komunikim me BIRN se nuk ka negociata të fshehta, por “takime formale brenda institucioneve të Kuvendit”.
“Aty, në Konferencën e Kryetarëve e kudo tjetër, përfaqësuesit e opozitës janë jo vetëm të mirëpritur të paraqesin kërkesat e tyre, por edhe të detyruar të paraqiten nga misioni i tyre kushtetues,” tha Spiropali përmes një mesazhi telefonik.
E pyetur nëse pjesë e bisedimeve ishin edhe ligjet e drejtësisë, Spiropali tha se “çdo propozim që do të vijë nga institucionet e Kuvendit do të bëhet publik”.
Negociatat mes dy grupimeve të mëdha në parlament shihen me mosbesim nga partitë më të vogla.
Deputeti Dashamir Shehi, i pranishëm në njërin prej takimeve të thirrura nga Nikolla, i tha BIRN se takimi u fokusua tek kërkesat e opozitës për reformën zgjedhore dhe komisionet hetimore.
“Dy partitë e mëdha mund të kenë negociuar me njëra- tjetrën pas këtij takimi,” tha Shehi, duke shprehu mosbesim për reformën zgedhore. “Ato do të shohin interesat e veta,” shtoi ai.
Paketa ligjore e reformës në drejtësi u miratua 8 vjet më parë me nxitjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, duke sjellë si rezultat kryesor krijimin e Prokurorisë së Posaçme që po heton aktualisht politikanë të nivelit të lartë nga të dyja kahet e politikës. Lënia hapur e derës për ndryshime të mundshme ligjore rrezikon të shkaktojë shqetësime për fatin e mëtejshëm të institucioneve të reja të drejtësisë./BIRN
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co