Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka komentuar në një deklaratë për mediat përplasjet mes ish-presidentit Ilir meta dhe kreut të SPAK, Altin Dumani një ditë më parë në sallën e gjyqit në GJKKO.
“Zoti Meta i ka çmontuar nga brinjët dje në sallën e gjyqit, se ata nuk janë prokurorë, janë terroristë”, tha Blushi.
Ai tha më tej se në sallën e gjyqit prokurorët kanë pretenduar të kundërtën e arrestimit të Metës, që sipas tij, është dhunuar dhe rrëmbyer.
Tedi Blushi: Edhe në sallën e gjyqit, këta prokurorë mafiozë, ish hetuesi i komunizmit, Arben Kraja me në krye krye terroristin Dumani, përfshirë dhe atë prokurorin kallp, pretenduan të kundërtën e një fakti të njohur botërisht tani. Rrëmbim dhe dhunimi i presidentit Meta, e kanë parë gjithë shqiptarët. Zoti Meta i ka çmontuar nga brinjët dje në sallën e gjyqit, se ata nuk janë prokurorë, janë terroristë.
Kujtojmë se dje (23 tetor), në nisje të seancës për rikonfirmimin e masave të sigurisë për Metën, Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun, ka pasur akuza nga ana e Metës kundrejt trupës së prokurorëve të përbërë nga kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja e Sotir Kllapi.
Debati nisi kur Kraja deklaroi se arrestimi i Metës është kryer sipas procedurave ligjore.
Në këtë moment Meta ka përdorur tone intimiduese duke u thënë prokurorëve se “do ta shohin çfarë do u ndodhë“ dhe “nuk do e harrojë atë që i kanë bërë”.
Ai ka folur edhe kundër Altin Dumanit, duke iu referuar si “dumduman” dhe ushtar i kryeministrit Rama. Ish-Presidenti i ka cilësuar akuzat që rëndojnë ndaj tij si të motivuara politikisht.
GJKKO la në Burg Ilir Metën, i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, nuk ka ndryshuar për Monika Kryemadhin, e cila dyshohet për të njëjtat akuza. Edhe për Ema Çokun nuk kanë ndryshuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Masa ka ndryshuar vetëm për Pirro Xhixhon, i cili sipas SPAK duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, në zbatimi të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP”.