DVP Tiranë
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike finalizon pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacionin policor të koduar “Turbulencë”.
Vihen në pranga 4 shtetas të cilët kishin përshtatur ambientet e disa subjekteve, për organizimin e lojërave të fatit, si dhe ushtronin veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularëve. Procedohen penalisht 3 të tjerë.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 7 celularë që shërbenin për vënien e basteve sportive, 92 600 lekë të rinj, dhe 475 euro, të dyshuara të përftuara nga ky aktivitet i paligjshëm.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Turbulencë”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit A. M., 25 vjeç, E. S., 22 vjeç, Sh. N., 32 vjeç, A. S., 36 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit A. M., 50 vjeç, O. Sh., 23 vjeç, dhe një i mitur 16 vjeç.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa subjekte të vëna në dispozicion për organizimin e lojërave të fatit, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 7 celularë që shërbenin për këtë veprimtari, 92 600 lekë të rinj, dhe 475 euro, shuma të përftuara nga ky aktivitet i paligjshëm.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co