Bota

Përvjetori/ Ferit Bregu, mitraljeri partizan që u vra me uniformën gjermane

pervjetori ferit bregu mitraljeri partizan qe u vra me uniformen gjermane

































ferit breguYLLI BREGU

Ishte fillimi i qershorit të vitit 44. Operacioni nazist ishte në kulmin e tij. Lajmet që vinin nga fronti flisnin për beteja të suksesshme, po dhe për të rënë që shtoheshin dita ditës.

Operacioni i Qershorit, përpos atij të Dimrit të atij viti, shkaktoi jo pak humbje në radhët e partizanëve të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Njëri ndër ta ishte Ferit Bregu, 20-vjeçari nga Skrapari që ra në krye të betejës kur luftonte me mitraloz përballë hordhive gjermane. Data shënonte 6 qershor kur shokët e gjetën të mbuluar me gjak i goditur nga një plumb në ballë. E gjetën të shtrirë në një borigë teksa kishin çarë rrethimin falë trimërisë dhe zgjuarsisë së tij. Për çudinë e tyre mitraljeri, që i kishte shpëtuar nga ai kurth i tmerrshëm, nuk mbante uniformën partizane, por atë të ushtarit gjerman. Ajo që kishte ndodhur ato çaste, kur ai ishte shkëputur prej tyre dhe u kishte dalë në shpinë forcave naziste, do të merrej vesh më vonë. Në vërshimin e djaloshit nëpër shkurre për të zënë sa më shpejt kreun e kodrës, i ishin grisur pantallonat dhe në kontaktin e parë me ushtarin gjerman, që e palosi sa e pa, i mori uniformën për të vazhduar me të betejën. Çaste të tëra pastaj do qëllonte pa pushim mbi nazistët që kishin futur në rreth të kuq shokët e batalionit. Kështu deri në fund, deri sa plumbi i dushmanit do ta gjakoste në ballë. Shokët e gjetën në përpëlitjet e fundit. “Ferit, o trim, Ferid, o vëlla”,-thirrën ata duke e marrë në duar.

STREHA E KAPEDANËVE NË LESHNJË

Ka qenë një shtëpi në fshatin Leshnjë të Skraparit, një shtëpi e thjeshtë e fisit Bregu, që njihej si strehë e kapedanëve atdhetarë. I fundit që bëri emër e u flijua për lirinë e Shqipërisë ishte djali i vogël i saj, Ferit Bregu. Ai, mitraljeri partizan 20-vjeçar që u vra teksa shpëtoi shokët nga rrethimi plotë 80 vite më parë në 6 qershor të vitit 1944. I bekuar nga kjo strehëz dhe njerëzit e saj me histori, Ferit Bregu me sakrificat dhe përkushtimin e tij për ta çuar luftën deri në fund, bëri një tjetër pjesë të kësaj historie, një kreshpë të saj të palëkundur.

Duke u bërë kështu pjesë e lavdisë së të atit, Neim Bregut, që në rininë e tij u shqua në radhët e luftëtarëve që siguruan mbledhjen për shpalljen e pavarësisë në Vlorë. Ai kishte bërë emër në krahinë dhe përtej saj për ndjenja të forta liridashëse dhe për urrejtje të pakufishme për armiqtë dhe tradhtarët. I shfaqi këto sidomos në përpjekjet me armë në dorë në betejat e vitit 1913, po më së shumti në luftën e Vlorës në 1920. Me moton “Burri i vërtetë e ka vendin aty ku luhen fatet e vendit”, Neim Bregu, nuk mungoi në asnjë nga ngjarjet historike të viteve 20-30 ku kontribuoi si rrallëkush në interes të çështjes kombëtare dhe integritetit kombëtar. Po jo vetëm kaq, Neim Bregu sa atdhetar i palëkundur, ishte dhe një burrë që i peshonte fjala në zonë e përtej saj. Njeriu i Kuvendit, i fjalës së ëmbël dhe i kudogjendur te njerëzit në nevojë. Për Feitin, djalin e vogël, fjala e tij ishte ligj, kontributi i tij, ishte modeli që zgjodhi për të çarë në jetë. Djaloshi që u burrëruar para kohe, nisi herët të mendonte si mund t’i vinte në ndihmë familjes. Fillimisht mori rrugën për në Vlorë për të gjetur ndonjë punë, e përfundoi në Tiranë. Prej andej në rreshtat e parë të luftëtarëve të lirisë, fillimisht në armatën e ilegalëve e më vonë në formacionet e Brigadës së VII…

Shtegtimi që nisi nga Peza

Akoma nuk kishte mbushur 17 vjeç, kur djali i vogël i asaj strehëzës me emër të Leshnjës së largët, u nda me prindërit dhe familjarët dhe mori rrugën larg për të gjetur një punë që të bëhej i dobishëm jo vetëm për vete. Provoi në fillim punën e krahut në objektet e okupatorit italian në Vlorë, po shpërblimi shpërfillës e detyroi të kërkojë fatin në Tiranë. E nisi nga fusha e aviacionit që ndërtohej rishtas përballë vështirësive të jashtëzakonshme dhe lodhjes sfilitëse. Po duhej të duronte, të qëndronte fort, mos të përkulej. Në kantierin e madh u njoh dhe me shumë të tjerë që i bashkonte i njëjti fat. Tek ta gjente jo vetëm fjalën e ngrohte, por dhe kurajën për të sfiduar të papriturat e përditshme.

Mbrëmja në hotel “Evropa” ku qëndronte me shokët e tjerë, ishte pjesa më e bukur e atyre ditëve të vështira. Njëherazi me bisedat për punën, djaloshin nga Skrapari filluan ta tërhiqnin dhe ato për situatën e rëndë që përjetonte vendi nën çizmen fashiste. Kishte nga shokët që guxonin ta shprehnin hapur shpresën për të nesërmen pa okupator. Fariu i dëgjonte me vëmendje këto zëra dhe aty për aty pyeste gjithë kërshëri: “Po si mund ta largojmë këtë bishë që na ka zënë frymën?! Me bashkim, me luftë, me përballje,” -e çonte më tej fillin e bisedës njëri prej tyre që çmohej shumë nga të tjerët. Ishte Skënder Çaçi, një nga antifashistët e orëve të para të kryeqytetit që atë periudhë ndante dhomën me djaloshin nga Leshnja.

Miqësinë me të Ferit Bregu e vlerësoi shumë dhe dita ditës i qëndronte gjithnjë dhe më pranë. Një mësues ndryshe ky, mendonte teksa e krahasonte me mësuesit e fillores te fshati i lindjes. Dhe i besoi si zotit fjalës së tij, duke u bërë pjesë e guerileve në qytetin e Tiranës. Madje jo një gueriles i thjeshtë, por një luftëtar sy patrembur që u shqua për guxim e trimëri në çdo aksion. Në historikun e lëvizjes antifashiste të Tiranës, të fillim viteve 40, Ferit Bregu, ka një vend të veçantë, ku veç të tjerave përmendet shembulli i tij në demonstratën e madhe të 28 nëntorit 1941 dhe kontributi i spikatur në radhët e luftëtarëve që siguronin Konferencën e Pezës që u zhvillua në 16 shtator 1942. Mirëpo qëlloi që aktiviteti i tij u zbulua dhe djaloshi 20 vjeçar u detyrua të largohet nga Tirana për t’iu bashkuar forcave partizane të Brigadës së VII që operonte në zonën e Beratit dhe Skraparit. Aty shkroi një tjetër histori me mitralozin që nuk e lëshoi nga dora deri në çastet e fundit të jetës…

LAJMI I DHIMBSHËM I 6 QERSHORIT 44

Ishin ditë të vështira të operacionit armik të qershorit 44. Forca të shumta armike ishin përqendruar në qafën e Shkozës, Tërpan, Paraspuar. Në maj të atij viti brigada e VII kishte kryer me sukses misionin në roje të Kongresit të Përmetit, duke siguruar pëllëmbë për pëllëmbë zonën nga Droboniku, deri në Tendën e Qypit. Prej andej batalioni i dytë i brigadës, ku bënte pjesë Ferit Bregu bashkë me forcat partizane të qarkut të Beratit do vazhdonin betejat me okupatorët gjerman në zonë.

Në 6 qershor formacioni partizan sulmoi forcat armike në malin e Tërpanit. Ishte një goditje e befasishme. Me humbje të shumta, forcat naziste tentuan të zbresin në rrugën automobilistike për të shpëtuar çfarë mund të shpëtonin. Po dhe aty ranë në breshërinë e armëve të partizanëve që i ndiqnin këmba këmbës. Mëngjesi filloi kështu me sulme e kundërsulme. Zjarr i pandërprerë në të dyja anët.

Një moment, një grup i forcave naziste u shkëput nga rruga dhe u përpoq të rrethonte kompaninë e Feritit që, deri atëherë, në pozicionin që kishte zënë, u kishte sjellë shumë dëme të shumta. Epërsia numerike u krijonte avantazh forcave armike që vinte kështu në pozitë të vështirë efektivët e Brigadës së VII. Dara e rrethimin sa vinte e shtrëngohej. Egërsia e nazistëve, gjithashtu. Katastrofa ishte shumë pranë. Atëherë kur përpjekjet dukeshin të kota dhe fataliteti ndjehej pranë, shumë pranë, mitraljeri 20-vjeçar ndërmori aventurën e pabesueshme që dështoi sulmin armik. I bindur në zgjedhjen e tij, Ferit Bregu, një moment u shkëput nga shokët dhe vërshoi në pyllin me lisa duke dalë në shpinë të ushtarëve nazist. Aty pastaj nisi sulmin me mitraloz duke qëlluar mbi armikun dhe duke çorientuar atë që tashmë gjendej mes dy zjarreve. Mjaftoi kaq dhe pjesa tjetër e partizanëve, tashmë e çliruar nga sulmi frontal, u hodh në mësymje. Ishte një përballje disa orësh, po dramatike e fatale për forcat pushtuese. Kur mbaruan breshëritë partizanët e kompanisë u grumbulluan në kodrat e fshatit Tozhar. Njëherazi me çlirimin nga makthi i atij rrethimi vdekjeprurës, filluan të bëjnë apelin.

I vetmi që mungonte aty për aty ishte mitraljeri Ferit Bregu. Feriti që kishte fluturuar nëpër plumba për të goditur armikun nga shpina. E thirrën me zë të lartë, po nuk dëgjuan përgjigje. Feritit diçka do t’i ketë ndodhur, u hodh komisari i kompanisë që e donte shumë. Sakaq, një grup partizanësh u sulën me vrap në drejtim të pozicionit nga ku qëllonte Feriti. E gjetën të plagosur rëndë dhe të rraskapitur nga gjaku që i rridhte mbi ballë. Me zor merrte frymë. Plumbi i kishte shkatërruar njërin sy dhe nuk shikonte. Shokët iu afruan. Një çast kujtoi mos ishin gjermanë dhe i qëlloi me gurët që kishte aty afër. I shpërfytyruar siç ishte nuk pushoi së qëlluar deri sa komisari e kapi për duarsh e ledhatoi dhe i fshiu gjakun.

Sa u kthjellua paksa pyeti: “A shpëtuan shokët?” dhe kërkoi mitralozin që i kishin shterur fishekët. Shokët të përlotur e sqaruan dhe njëri pas tjetrit po i jepnin kurajë. Ndërkohë fuqitë po e linin, deri sa një moment mbeti pa ndjenja në duar të tyre. Ashtu siç ishte një grup partizanësh e morën në duar dhe nxituan për ta çuar në spitalin partizan, i cili ndodhej në fshatin Kajcë. Mirëpo plaga ishte e madhe dhe aty nuk mund ta mjekonin, prandaj nxituan ta dërgonin në spitalin e Çorovodës. Rruga për aty ishte e bllokuar nga forcat armike. Në pritje për ta çuar në spital qëndruan disa ditë në fshatin Prishtë. Kjo ndikoi që gjendja shëndetësore e Feritit të përkeqësohej, deri sa dha shpirt. Shokët e varrosën përkohësisht në Prishtë, me nderime dhe ceremoni të veçantë. Ishte një ikje e dhimbshme për ta, një humbje e pazëvendësueshme, jo vetëm për pjesëtarët e kompanisë dhe batalionit, por për tërë efektivin e Brigadës së VII që e kishte në ballin e nderit mitraljerin 20-vjeçar.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts