Gjatë ndeshjes së djeshme mes Dinamos dhe Egnatias pati disa momente interesante në fushë dhe në shkallët e stadiumit, që i sjell “Panorama Sport”. Blutë dhe sidomos presidenti Adrian Bardhi, kanë pasur shumë rezerva për gjykimin e kryesorit Eldorjan Hamiti.
Kreu i klubit kryeqytetas nuk u kursye ndaj Hamitit dhe delegatit.
* I pranishëm në stadium ishte edhe trajneri i Kombëtares, Silvinjo.
*Përpara ndeshjes u zhvillua një ceremoni nga ana e FSHF-së për startin e këtij kampionati. Fëmijët mbanin në duart logot e 10 ekipeve pjesëmarrëse këtë edicion në elitë. Sakaq, topin e parë e shkelmoi Arjan Pisha, ish-kapiteni i dinamovitëve.
*Interesi në stadium ishte i pakët, ku nuk numëroheshin më shumë se 500 të pranishëm. Te dinamovitët kishte edhe një prezencë të ultrasve “Blue Boys”.
*”Elbasan Arena” ishte i zhveshur nga stolat në njërën pjesë të saj, ku do të qëndrojnë ultrasit e skuadrës së Elbasanit. Verdheblutë kanë marrë kështu masat një javë para sfidës së tyre të parë në kampionat në shtëpi, atë ndaj Teutës.
*Në minutën e 6-të lojtarët vënë re se topi që po luajnë është paksa i shfryrë. Shkon e verifikon gjyqtari Hamiti dhe kërkon një sferë tjetër.
*Nuk mungojnë incidentet në tribunë midis një tifozi të Dinamos dhe disave të Egnatias. Fyerje në distancë, teksa u desh ndërhyrja e stjuartëve të qetësonte situatën.
*Tifozët dinamovitë nuk i kursejnë kritikat ndaj kryesorit për atë penallti në disfavor të skuadrës së tyre, si edhe disa vendimeve të marra gjatë lojës.
*Gjyqtari i 4-t, Kreshnik Cjapi, paralajmëron edhe një prej fëmijëve që kapin topat. I bën me shenjë që të mos bëjë xhonglime, por vetëm ta mbajë dhe kur duhet t’ua japë lojtarëve.
*Një tullumbace qëndroi e “paftuar” në fushë prej shumë minutash pranë zonës së Dinamos. Në varësi të erës edhe lëvizte, teksa askush nga lojtarët nuk po tentonte ta largonte.
*Aleksi është një trajner në fushë, pasi thuajse në çdo top flet dhe u jep direktiva shokëve të skuadrës se çfarë duhet të bëjnë.
* Në minutat e fundit, trajneri Edlir Tetova, mesa duket nis të ndiejë ftohtë dhe vesh një këmishë më mëngë të gjata.
*Në fund të ndeshjes presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi, nuk i ka mbajtur nervat nga tribuna, duke iu hakërryer Hamitit. “O palaço”, ia behu numri 1 i klubit blu. Nuk e la me kaq, por në fund ai iu hakërrye edhe delegatit gjatë kohës që u përball në hollin e stadiumit: “Nuk tallet njeri me investimin tim, ta dini ju”.
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co