Pas një eksperience të gjatë te Milani, Stefano Pioli mbetet në kërkim të një skuadre. Trajneri i njohur, së fundmi është përfolur për një kalim të mundshëm në Arabinë Saudite, më saktësisht te Al-Ittihad. Sipas Corriere dello Sport, negociatat mes Pioli dhe Al-Ittihad janë ngadalësuar ndjeshëm. Ka ende shumë detaje për t’u zgjidhur dhe lëvizja mund të dështojë në fund, pasi garancia është zero për një fund të lumtur.
Nëse Pioli nuk arrin një marrëveshje, me këtë klub apo me ndonjë tjetër, atëherë ai do të mbetet në listën e pagave të Milanit për sezonin e ardhshëm, duke respektuar kështu kontratën. Lajm i keq ky për kuqezinjtë, të paktën sa i takon shifrave. “Timonieri” ka një pagë prej 4 milionë euro neto dhe shifra që është i detyruar klubi nga Milano të paguajë mund të shkojë rreth 7.4 milionë euro, por jo vetëm kaq, pasi me gjithë përfshirjen e menaxherëve, kostoja e qëndrimit pa punë të Piolit mund t’i shkaktojë Milanit një dëm prej 10 milionë euro.
Gjithsesi, asgjë nuk mund të thuhet me siguri. Për momentin tratativat mes Al-Ittihad dhe Piolit kanë mbetur në vend-numëro, por ndoshta vetëm përkohësisht. Nëse arabët vendosin të kënaqin dëshirat e 58-vjeçarit, firma do të ishte vetëm çështje kohe. Deri më tani, në media flitet për një kontratë trevjeçare me vlerë gjashtë milionë euro plus dy bonuse në vit.
Për teknikun do të ishte hera e parë që do të trajnonte jashtë Europe, deri tani ka drejtuar skuadra si Sassuolo, Lazio, Inter, apo edhe Fiorentina.
(J.S/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co