Çelsi ka bërë një lëvizje të fundit për të nënshkruar me Ivan Tonejn nga Brentfordi.
Klubi londinez është në kërkim të një golashënuesi të sprovuar për të qenë numri 9 i tyre i ri dhe deri në këtë moment kishte provuar që të transferonte sulmuesin e Napolit, Viktor Osimhen, por ky i fundit kishte kërkuar një rrogë prej 500 mijë paundësh në javë, duke i ngrirë bisedimet e deritanishnme dhe Blutë po shikojnë alternativat e tjera. Tonej ka më pak sesa një vit të mbetur në kontratën e tij dhe u la jashtë dy ndeshjeve të para të Brentfordit në Premier Ligë, kundër Kristal Palasit dhe Liverpulit. Sulmuesi 28-vjeçar i kombëtares së Anglisë ka në tavolinë një ofertë fitimprurëse nga Al-Ahli dhe Çelsi është i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë pagat e ofruara nga Arabia Saudite, por i ofron futbollistit të luajë ende në Premier Ligë dhe mundësinë për të qëndruar në Londrën Perëndimore.
Al Ahli, që ka në përbërjen e skuadrës së vetë ishlojtarët e Premier Ligës, Rijad Mahrez, Eduard Mendi dhe Roberto Firmino, ende nuk e ka përmbushur vlerësimin e Brentfordit për kartonin e sulmuesit anglez. Trajneri i Brentfordit, Tomas Frank, u zu ngushtë kur u pyet për të ardhmen e Tonejt në një konferencë për shtyp të martën. “Sot, ne nuk kemi asgjë për të thënë për Ivan Tonejn”, tha ai. Nëse do të zgjedhë të shkojë në Arabinë Saudite, sulmuesi do të përfitojë një rrogë prej 400 mijë paundësh në javë dhe kjo është një pagë që Çelsi nuk do t’i afrohet kurrë, pasi zbaton një strukturë rigoroze rrogash. Por Çelsi duhet të plotësojë edhe kërkesën financiare të “bletëve”, që deri tani ka këmbëngulur për një çmim 50 milionë paund. Por sipas “The Independent”, klubi i ka ulur pretendimet në 40 milionë paund, për të mos rrezikuar që ta humbasë lojtarin me parametër zero verën e ardhshme. Çelsi mendon se Tonej është profili i lojtarit që mund ta transferojë për rolin e numrit 9 pa bërë një sforco të madhe ekonomike.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co