Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur të premten se, në bashkëpunim me Departamentin amerikan të Shtetit, në Kosovë do të ndërtohet Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Duke folur në Prishtinë në konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor, Osmani theksoi se Kosova ka qenë një nga katër shtetet e përzgjedhura për këtë qendër.
“Hapja e kësaj qendre në Kosovë është bërë pjesë e strategjisë së SHBA-ve për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe pjesë e planit kombëtar amerikan të veprimit”, tha Osmani.
Osmani nuk dha hollësi rreth kësaj qendre, apo datë se kur do të ndërtohet ajo, por nënvizoi se ajo pret që përmes saj të konsolidohen gjithnjë e më shumë partneritete të reja në Kosovë dhe në rajon.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë, qëllim kryesor e ka pozicionimin e grave si partnere të barabarta në të gjitha fushat që lidhen me paqen dhe sigurinë.
“Në këtë drejtim, Kosova është shembull i mirë i përkushtimit në përmbushje të agjendave globale, pavarësisht faktit që shpesh herë jemi të kufizuar për t’i dhënë zë punës tonë në këta organizma që ne ende nuk jemi anëtarë”, tha ai.
Sipas tij, përfshirja e grave në procese të paqes dhe sigurisë është parakusht për paqe dhe demokraci të qëndrueshme.
“Ne sot e kemi një numër të madh të grave të përfshira në politikë, edhe në sektorin e drejtësisë e në atë të sigurisë, ndonëse numri i tyre është larg nga të qenët i barabartë me numrin e burrave dhe kjo duhet të ndryshohet”, tha Konjufca.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 31 tetor 2000 e miratoi rezolutën 1325 për gratë, paqen dhe sigurinë.
Kjo rezolutë i nxit shtetet anëtare të OKB-së që të sigurojnë një përfaqësim më të madh të grave në të gjitha nivelet vendimmarrëse në institucionet kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare dhe në mekanizmat për parandalimin, drejtimin dhe zgjidhjen e konfliktit./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co