Kompania “Google”, e cila ka një plan ambicioz kundër ndryshimeve klimatike, nuk iu afrua aspak objektivave të saj vitin e kaluar, sipas një raporti vjetor të kompanisë publikuar të martën. Në vend që të zvogëloheshin, emetimet e kompanisë u rritën me 13% në vitin 2023. Konsumi total i energjisë për gjigandin e teknologjisë është më shumë se dyfishuar që nga viti 2019. “Google” ia atribuon këtë rritje përdorimit të inteligjencës artificiale dhe kërkesës nga qendrat e ruajtjes së të dhënave.
Tre vjet më parë, kompania “Google” njoftoi një plan ambicioz për të trajtuar ndryshimet klimatike duke thënë se do të reduktonte në maksimum lëshimin e gazrave të dëmshme, deri në vitin 2030.
Por një raport i fundit i publikuar nga kompania tregon se është shumë larg arritjes së këtij qëllimi. Në vend që të uleshin, emetimet e kompanisë u rritën me 13% në vitin 2023, krahasuar me një vit më parë. Po t’i krahasosh shifrat me vitin 2019, emetimet janë rritur me 48%.
“Google” përmendi përdorimin e inteligjencën artificiale (AI) dhe kërkesën e lartë të energjisë elektrike që qendrat e ruajtjes së të dhënave kërkojnë për këtë proces. Dhe procesi për përfitimin e energjisë elektrike në mënyrë tradicionale lëshon emetime të gazrave të dëmshëm si dioksidi i karbonit dhe metani, që ngrohin planetin.
Disa ekspertë thonë se qendrat që ruajnë të dhënat e kompanisë “Google” po zgjerohen me shpejtësi nga kërkesa e lartë për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Kjo do të thotë se një qendër për ruajtjen e të dhënave me nevojat e saj për energji elektrike mund të vonojë mbylljen e një termocentrali që djeg lëndë djegëse fosile. Ato kërkojnë linja transmetimi të tensionit të lartë dhe kanë nevojë për sasi të konsiderueshme uji për të qëndruar të freskëta. Këto qendra janë gjithashtu të zhurmshme. Një tjetër faktor është se këto qendra janë ndërtuar në ato vende ku energjia elektrike është më e lirë, jo gjithmonë aty ku burimet e rinovueshme, si era dhe dielli, janë burim kyç i energjisë.
“Ne duhet të kuptojmë se nëse po përdorim më shumë energji elektrike për të bërë diçka, ajo duhet të vijë nga burime të rinovueshme dhe me karbon të ulët sa më shumë që të jetë e mundur. Por ne gjithashtu duhet të shtrojmë pyetjen, cili është përfitimi që marrim nga kjo qendër e të dhënave apo a është përdorimi i inteligjencës artificiale në dobi të njerëzimit?”, thotë Amanda Smith, nga organizata “Drawdown”.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, kërkesa për energji elektrike mund të dyfishohet deri në vitin 2026 nga qendrat për ruajtjen e të dhënave nga kompanitë teknologjike.
Edhe kompania “Microsoft” tha se nga qendrat e ruajtjes së të dhënave emetimet u rritën me 29.1%, nga niveli bazë i vitit 2020. Kompanitë e teknologjisë thonë se përdorimi i inteligjencës artificiale, si ChatGPT, nuk po shkakton pjesërisht ndryshimin e klimës përmes emetimeve, por gjithashtu po ndihmon edhe në adresimin e këtyre problemeve.
“Ne jemi ende duke mësuar se si mund ta përdorim inteligjencën artificiale për të zgjidhur disa probleme, të ketë një përdorim të mirë. Pra është e rëndësishme për të kuptuar se me përdorimin e inteligjencës artificiale ne nuk rrisim vetëm emetimet, por ajo mund të shërbejë edhe si një forcë që ul ndikimin në ndryshimet e klimës. Është në dorën tonë se si e përdorim”, thotë Amanda Smith, organizata “Drawdown”.
Emetimet e firmës Google u rritën vitin e kaluar pjesërisht sepse u rrit edhe konsumi total i energjisë; deri në 25,910 gigavat orë, më shumë se dyfishi i orëve të energjisë së konsumuar vetëm katër vjet më parë.
Një gigavat-orë është përafërsisht energjia që lëshon një termocentral që furnizon disa qindra mijëra familjeve në një orë. Kompania “Google” po ashtu njoftoi se është rritur edhe përdorimi i energjisë së rinovueshme./voa
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co