Tre alpinistë rezultojnë të zhdukur, pasi u goditën nga një ortek të premten teksa po ngjiteshin në vullkanin Cayambe në pjesën veriore të Ekuadorit.
Shefi i shërbimit zjarrfikës në zonë sqaroi në një konferencë për shtyp se bëhet fjalë për një shtetas ekuadorian dhe dy gjermanë. Ekipet e shpëtimit po bëjnë “çdo përpjekje të mundshme” për të gjetur të zhdukurit, por “kushtet në mal nuk janë më të mirat”, shtoi ai.
Shoqata kombëtare e udhërrëfyesve malorë (Asociación Ecuatoriana de Guías de Montaña / ASEGUIM) informoi përmes një postimi në mediat sociale se dy nga anëtarët e saj kuptuan se disa njerëz kishin “ranë në një luginë”. Ata u përpoqën të kontaktojnë me ta, “pa marrë përgjigje”, sipas të njëjtit burim. Orteku ka ndodhur rreth orës 06:15 (me orën lokale), mëngjesin e së premtes. Vullkani Cayambe ndodhet 60 kilometra në verilindje të kryeqytetit Quito dhe arrin një lartësi prej 5790 metrash.
Ministria e Mjedisit e Ekuadorit njoftoi se për shkak të ortekut, qasja e turistëve në Parkun Kombëtar Cayambe-Coca u ndalua përkohësisht.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co