Bota

Poeti Hamdi Skeja, në enciklopedinë “Personalitete shqiptare të Francës”

poeti hamdi skeja ne enciklopedine personalitete shqiptare te frances





































halilramaHALIL RAMA

Në 520 faqet e enciklopedisë voluminoze të poetit dhe publicistit të mirënjohur Mentor Hoxha, me titullin sinjifikativ “Personalitete shqiptare të Francës”, mes 589 emrave, për të cilët siç shkruan shkrimtari Leonard Veizi, “kanë dhënë një kontribut të çmuar herë për Shqipërinë, herë për Francën dhe herëherë fama e tyre i ka kaluar kufijtë e dy shteteve për t’u bërë të përbotshëm”, është edhe ai i poetit, gazetarit dhe aktivistit shoqëror, Hamdi Skeja.

Në faqen 376 të kësaj enciklopedie famoze, të promovuar në Lyon të Francës, si edhe nga media shqiptare, ndër të tjera shkruhet se, “katër vëllimet me poezi të poetit Hamdi Skeja ‘Jetoj brenda një gruaje’, ‘Ligjërim ndjenjash’, ‘Flakërima shpirti’ dhe ‘Ekstremume’, janë vlerësuar nga media dhe kritika letrare në Shqipëri, ku veçohen disa artikuj kritikë në shtypin shqiptar, të shkruar nga Halil Rama – Mjeshtër i Madh, Dr.Fejzulla Gjabri, Pëllumb Gorica, Ilmi Dervishi, etj”.

LIBRI

Qoftë dhe vetëm nga një kërkim spontan në libraritë kryesore të Tiranës, Durrësit, Lezhës, Elbasanit e Dibrës, bindesh se libri i tij i pestë “Jetoj brenda një gruaje” (Botimet M&B, Tiranë, janar 2024) me redaktor Mentor Hoxhën, në më pak se 6 muaj është më i kërkuari nga lexuesi. Kjo për faktin se poezitë e tij përcjellin te lexuesi mjeshtërinë e fjalës së tij poetike, për ndjenjën e bukur të dashurisë. Kështu, edhe larg në mërgim (poezia me titull “Tavolina jonë”, e shkruar në Francë, më 09.08.2022) ai vargëzon për tavolinën bosh në të martën shenjtërore, kur ngado kërkon fytyrën engjëllore të një vajze: Dhe të mahnit me vargjet: “Kërkoj fytyrën tënde luledele kudo/ Po nuk gjendet askund;/Kërkimet për ty,/ kanë fillim, por jo fund..”. Mjaftojnë qoftë edhe vetëm këto katër vargje për të kuptuar se sa thellë e kërkon poezinë poeti edhe në mërgim, i bindur se këto kërkime s’kanë fund… E kështu ai, si rrallëkush i largohet oqeanopoezisë pa bosht e ide që ka pushtuar rrjetet sociale. Se ai është poeti sqimatar, që kërkon më të bukurën edhe në poezi. E kështu, pothuajse në 73 poezitë e këtij vëllimi me 107 faqe, ai përligj titullin e librit “Jetoj brenda një gruaje”. Në të është “gruaja që u ngjan luleve” e ai (poeti) “bilbilave që këndon këngët e pashpjeguara të dashurisë së pashijuar”. Ai jeton: “me dashuri, me jetë, brenda asaj gruaje/ mes tingujve të një kënge gjen atë/ ajo e ka mes gishtave, flokëve. Mes lutjeve dhe dashurisë.., është gruaja që jeton brenda tij…, e ai brenda saj…”. A nuk është kjo një poezi dashurie e veçantë, një krijim kompleks po aq sa ndjenja e dashurisë?! Qoftë edhe me këto vargje që hyjnizojnë gruan, H.Skeja përçon mjeshtërisht te lexuesi filozofinë e ndjenjës së bukur të dashurisë njerëzore. Kësisoj edhe tek “Qyteti i boshatisur” kemi poezinë e që kap në mënyrë të përkryer ndjenjën e padurueshme të mallit për njeriun e zemrës, për të cilin ndër të tjera thur vargjet: “Ç’pritje e gjatë dhe e dhimbshme!/ Plot vajza qyteti, asnjë nuk ngjante me ty/ Asnjë nuk mund të të ngjajë..,/ Sepse si ti lindin njëherë në jetë vajza me fytyrën plot botë/ që botën time e shemb kur mungon…”. Në vargjet e këtyre poezive poeti Skeja shpreh mesazhin e tij universal, me natyrshmëri dhe aftësi marramendëse, duke përdorur një figuracion të veçantë letrar, të nxjerrë nga jeta e përditshme, duke rrëfyer mjeshtërisht se pas çdo përvoje njerëzore, ka një derë tek e padukshmja. Qartazi këto veçori të poezisë së tij i shprehin këto vargje të poezisë “Epitafi i zemrës”:

“Vazhdoj të shkruaj epitafit të zemrës për ty, Për zemrat, për jetët që fati na i burgosi. Ti herë vjen, e herë ikën si dallëndyshet. Unë pres si një peshkatar Që fati do të të sjellë në grepin e pritjes…. O Zot, je femër a perëndi?!”

Dhe kështu, tema e dashurisë që mbizotëron tërë krijimtarinë e Hamdiut është dominante edhe në këtë vëllim poetik mbresëlënës. Qartazi kjo dallohet qoftë edhe nga titujt e poezive: “Vajza e luleve”, “Të dua përtej mëkatit tim”, “Gruas që më dashuron”, “Jasemini im”, “Kur të pres ty”, “Largësia jote”, “Malli yt”, “Kënga e vetmisë”, “Dashurisë që i mungon fruti”, “Një letër pa adresë”, “Malli më djeg”, “Ajo flet me Hënën”, “Përjetim në ëndërr”, “Shkrumëzohem”, “Asaj që do të ishte e imja”, “Kur mungon një copëz zemre”, “Sytë e saj”, “Femrat që kam njohur”, “Epitafi i zemrës”, “Zambaku i zemrës” etj., etj..

FEMRA

Krijimtaria poetike e Hamdi Skejës është vlerësuar edhe nga Dr. Xhoi Jakaj, Sonila Meço (gazetare dhe moderator e njohur), Anxhela Peza (psikologe), Marjana Kondi (aktore) etj..

Përveç katër librave me poezi, Hamdiu ka realizuar e botuar në shtypin shqiptar intervista me këngëtare dhe gazetare shqiptare, si Sava Lena, Mimoza Paraveli, Marjeta Billo, Maria Aleksi etj.. Dr. Xhoi Jakaj e vlerëson premtues Hamdi Skejën në poezinë shqipe, me një varg shumë origjinal dhe aktual. Kjo edhe për faktin se, “Me librin ‘Jetoj Brenda një gruaje’ pohon si një dëshmitar i vërtetë se dashuria për femrën i jep jetë, ashtu siç e ka kështjellëzuar në vargje poezie”.

Hamdi Skeja ka lindur në Ploshtan, Kalaja e Dodës, Dibër. Për disa kohë banoi familjarisht në Metz të Francës, ku shkroi dhe botoi poezi si dhe artikuj me fokus mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, e pikërisht për këtë kontribut bëhet pjesë e enciklopedisë “Personalitete shqiptare të Francës”. Babai i tij, Tahir Skeja, ishte valltar i Ansamblit Artistik të Qarkut Dibër dhe mori pjesë në shumë aktivitete në Dibër dhe në viset e tjera shqiptare. Librin e tij të pestë me titullin domethënës “Jetoj brenda një gruaje”, që në titull autori e konsideron me mesazh. “Është fat të jetosh brenda një gruaje, të jetosh me të, ta duash, ta admirosh, ta hypësh lart mbi yje, ta miksosh me to, ti japësh jetë në vargje, derisa të jesh kaq i vendosur për ta adhuruar. Po, femra adhurohet, e nuk abuzohet, as nuk lëndohet. E merr dhe e ngre lart mbi kështjella, e vesh me lule, me lulet e gjithë botës, e përkufizon me liqenet më magjik, pastaj përkufizimi del jashtë mendimit, deri me perënditë! E bën tinguj, muzikë, e kthen në këngë zogjsh, e bën ajër, dhe në fund e kthen aty ku ka vendin: – Perëndi”, shprehet autori Skeja. Ky libër për të është shumë i shtrenjtë, sepse është munduar të bëjë më të mirën, ndonëse nuk është prej atyre që i tundin si kryevepra.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts