Imzot Frano Gjini ishte në radhën e atyre priftërinjve “rebelë”, që nuk ju nënshtrua regjimit komunist, por qëndroi stoik dhe para togave të pushkatimit, përpos mos nënshtrimit përpara Enver Hoxhës, duke mos pranuar ta bënte Kishën Katolike, vegël në dorë të pushtetit. Momentet kur Imzot Frano Gjini ra, në sy të pushtetit dhe kishte dy zgjidhje; ose duhej nënshtruar ose eliminuar me çdo kusht. Këtu fillon drama e Imzot Gjinit.
Imzot Gjini, do jetë në qendër të vëmendjes së regjimit të sapo instaluar në Shqipëri. Kjo vëmendje do të fillojë që në fund të vitit 1945, ku: “Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 Frano Gjni, Abati, mori guximin dhe i tha prerë komisionit të votimit në Orosh, se unë nuk votoj për një pushtet që në strategjinë e tij, në plan të parë, ka zhdukjen e çdo feje…! Jam klerik në shërbim të popullit dhe të fesë së krishterë, për të cilën nuk më dhimbset jeta, ashtu si dhe për Atdheun” – shkruan në gazetën “Koha Jonë” historiani Ndue Dedaj, me 15 shtator 1994.
Qëndrimi kundërshtues i Mons. Frano Gjinit, u vu re dhe në rastin kur Delegati Apostolik, Leone Nigris, që ishte i detyruar të largohej nga Shqipëria (1945), i transferon funksionin e tij Imzot Gjinit, si Zëvendës i Delegatit Apostolik. Imzot Gjini do thirret në Tiranë nga Enver Hoxha dhe i kërkohet të ndërpresë kontaktet me Vatikanin e, ndikimin e tij ta verë në shërbim të Enver Hoxhës. Çfarë Frano Gjini, e refuzon. Për këtë është shkruar në veprën e Markus Piters, “Përballja e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”, dhe veprat e Dr. Pjetër Pepës, kushtuar Klerit Katolik, në dy vëllime dhe “Dosjet e Diktaturës”.
Dëshmi e Padër Konrad Gjolaj, për Monsinjor Frano Gjini:
“Kur Nigras u largue prej këndej, ai u takue me Arqipeshkvin e Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin dhe sekretarin e tij, Dom Mark Hasin. Nigris, para se të shkonte, la porosi qe në kjoftë se nuk kthehet ma, kompetencat t’i jepen Imzot Frano Gjinit, Abatit të Mirditës, me cilësinë e zv/Delegatit Apostolik të Vatikanit në Shqipni. Njeri i heshtun dhe modest. Nuk rrinte në krye të vendit, as kur i takonte. Ishte burr’i qetë, natyrë të cilën e pëlqejshin edhe mirditsit, mbasi kombinohej edhe me nji squetësi që kuptohej vetëm mbas njoftjes afër me të.
I premë në fjalë dhe i ngadaltë, gja që e bante të domosdoshëm në kuvendin e krahinës. Ishte i provuem si antikomunist me prova trimnije. Kur mirditasit i kishin propozue me e përcjellë jashtë Atdheut, për mos me ra në dorë të komunisave, Imzot Gjini ishte përgjegjë: “Jo, se nuk kam si me e lanë popullin e Sh’Lleshdrit, në dorë të komunistave”. Ai qëndroi këtu dhe kreu detyrën e ngarkueme deri ditën e fundit, ashtu si punoi me korrektësi gjithë jetën. Ma vonë u provue edhe në trimni”. Kjo dëshmi është shkëputur tekstualisht, nga vepra Dr. Pjetër Pepa, “Tragjedia dhe lavdia e Klerit Katolik në Shqipëri” – (Vol. II, 55, Tiranë, 2007).
Gazeta “Koha e Re” – Organ i Frontit Demokratik të Prefekturës së Shkodrës, me 19 nëntor 1946, me kryetitull: “Zbulime sensacionale në Kuvendin Françeskan”, ndër të tjera shkruan; “Pak ditë më parë, në Kuvendin Françeskan dhe në Kishën e Fretërve, u zbuluan disa sende me shumë randësi për skjarimin e popullit dhe për demaskimin e atyre që punojnë kundër popullit. M’u në mes të Kishës, nën rasar dhe nën altarin, të fshehura me mjeshtëri reaksionari, gjetën dokumenta të Gjonmarkajve(….) Në dhomën e Kuvendit, u gjetën dokumenta të kuislingëve me damkë, si Padër Anton Harapi(…) Në dhomë të poshtme të Kuvendit, në depon e ushqimeve dhe në stallën e derrave, të futura në mur, në dhe ase në tavan, u gjetën mitraloz, municion, bombë dore, pushkë, e të tjera”.
11 dhjetor 1946: Goditja e dytë e madhe
“Zbulohen” armë në kishë-Sekuestrohet kuvendi Françeskan. Arrestohen e torturohen: Imzot Frano Gjini, Imzot Nikollë Deda, Padër Mati Prennushi, Padër Çiprian Nikaj, Padër Pal Dodaj, Dom Tomë Laca, Dom Ndoc Sahatçija, Padër Gjon Karma, Dom Nikollë Shelqeti, Padër Mëhill Miraj, Fra Zef Pllumi, etj. (…) E njëjta ftesë për shpëtim, iu bë Imzot Frano Gjinit nga mirditorët e arratisur, që e donin dhe e nderonin aq shumë e, mundësitë ishin fare të lehta. Por jo! “S’kam kujt t’ia la besimtarët e kishën e Shën Lleshdrit”, – ishte përgjigja e vetme – shkruhet në veprën e Dr. Pjetër Pepës, kushtuar Klerit.
Si u arrestua Frano Gjini?! Që nga ajo që quhet si ‘Lëvizja e Postrribës’, me 9 shtator 1946, u arrestuan dhe një grup meshtarësh, pa marrë pjesë fare në këtë lëvizje, asnjëri prej tyre. U arrestuan; Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikollë Deda, Dom Tomë Lacaj. Letrat e arrestimit nuk kanë cilësime konkrete, veç gjera të përgjithshme dhe të papërcaktuara saktë.
Prokurorija Publike e Prefekturës, Seksioni i Sigurimit
Letër – Ndalimi përmban: Neve Hys Zaja, Prokuror Publik i Pref. të Shkodrës. Tue qënë se Monsinjor Frano Gjinaj, biri i … dhe i …, vjeç 1886, nga… me mjeshtëri… me shenjat trupore të veçanta që pasojnë…. pandehet për deliktin e dobësimit të Mbrojtjes, së kryer më … dhe të parashikuar prej nën ….
Urdhëron ndalimin e tij për nji kohë të pa caktueme dhe mbylljen e tij në burgun e Shkodrës. Çdo fuqi e armatosun, ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhëni.
Shkodër më 18, të muajit XI, të vjetit 1946.
Prokurori Publik
Hys Zaja
Ajo çfarë bie në sy në këtë fletë-arresti e shkruar keqas, thuhet se motivi i arrestimit, është për krimin; “dobësimi i Mbrojtjes”, çfarë nënkuptohet më këtë…?! Ndërsa mesa duket nga dita e arrestimit, deri ditën e akt–akuzës në fillim të vitit 1948, duket qartë se për dy vjet, “është punuar” nga Sigurimi Shtetit për të përpiluar një dosje sa më bindëse për “krimet” e Mons. Frano Gjinit dhe të tjerëve, që u arrestuan më të. Me mjaft zell u përpiluan proces-verbale nga prokurorët e oficerët e Sigurimit e, njerëz të që s’hezituan të gënjejnë gjoja si dëshmitarë. Pse të gënjejnë? Kjo vihet re në deklaratën e Pjerin Kçirës, pak muaj pas pushkatimit të Mons. Frano Gjinit, Patër Mati Prenushit, e Dom Nikollë Dedës.
Ku punonjësi i Sigurimit Pjerin Kçira, ndërron pllakë dhe nga anëtar partie, bëhet “armik i partisë dhe armik i popullit”, duke treguar të vërtetën për armët në Kishën Françeskane, ku gjatë seancave gjyqësore, do të pohoj i penduar për atë që e rendonte mbi supe, duke u shprehur para gjykatësit me këto fjalë: “Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë, duke ia futur armët në kishë e, duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore, të pranojnë se janë të tyret…! Për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të Enver Hoxhës, ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm”! Kjo deklaratë e tij, nxori në pah të vërtetën e armëve në kishë. Por ishte vonë sepse tashmë, martirët e fesë s’gjendeshin më në dhomat e ftohta të burgut, por në parriz.
Gjygji në Redaksinë e “Hyllit të Dritës”.
Në Dhetor e mueren edhe atë e, un mbeta përseri vetëm. Burgu tash dukej se kishte pak të burgosun. Aty më zuni fillimi i vjetit 1948, me nji të ftohtë aq të madh, sa edhe mijtë vijshin e më hyjshin nën batanije e, disa herë, më ka ndodhë me i gjetë në nadje të ngordhun në dyshek; përse un i kishem shtypë pa dashje, ndërsa ishem në gjumë.
Me dt. 13 Janar, me prunë akt-akuzën. Kjo ishte e formulueme e njajta për 10 persona. Imzot Frano Gjini, At Mati Prendushi-Provincial i françeskanëve, Imzot Nikollë Deda, Dom Tom Laca-sekretar i Arqipeshkvit, Dom Ndoc Sahatçija, At Mëhill Miraj, Dom Nikollë Shelqeti, Dom. Mark Hasi, Fr. Zef Pllumi, Zef Haxhia. Akt-akuza përbahej prej 14 pikash, të cilat pak a shumë kishin këtë përmbajtje:
Të gjithë këta janë klerikë të Kishës Katolike, qendër e obskurantizmit botnor, gjatë gjithë historisë. Se i kanë shërbye skllavopronarve e, të gjithë monarkve gjatë shekujve. Se kanë shkaktue shumë luftra fetare, Kryqëzatat anti islamike, por kanë përgatitë edhe Natën e Shen Bartolomeut në Francë. Se kanë pengue shkencën e përsekutue shkenctarët, tue djegë për së gjalli Galileo Galilein e Xhordano Brunon. Se kanë bashkpunue aktivisht me të gjithë perandoritë, për shtypjen e popujve.
Se kanë bashkpunue me Perandorinë Turke, në dam të popullit shqiptar. Se kanë bashkëpunue me Perandorinë Austro – Hungareze dhe kanë përgatitë ardhjen e sajë. Se kanë përgatitë ardhjen e fashizmit. Se kanë bashkëpunue me Mbretin Zog, për shtypjen e popullit shqiptar. Se kanë përgatit okupacjonin Italian me 7 prill 1939 dhe atë të fashzimit gjerman. Se kanë luftue Lëvizje Nacional-Çlirimtare. Se kanë dashtë me përmbysë Pushtetin Popullor, etj., etj.
(…) Mbas tri ditësh erdhën e më mueren. Në odën e Redaksisë të “Hyllit të Dritës” u zhvillua séanca e parë gjygjsore. Erdh Trupi Gjykues Ushtarak, në mos u gabofsha, me këta persona: Mustafa Iljazi-kryetar, Anastasi dhe nji tjetër oficer dorëcung, si antarë, Namik Xhemali- prokuror( …)” – kujton At Zef Pllumi.
Një letër prej dy faqesh, e shkruar me shkrim dore nga Frano Gjini dhe e nënshkruar nga ai, ku ja drejton Gjykatës së Naltë Ushtarake, për t’i ndryshuar vendimin, duke pretenduar me argumente se është i pafajshëm, por e cila nuk u mor parasysh dhe pushkatohet disa muaj më vonë.
Drejtuar Gjygjit të Nalt Ushtarak
Tiranë
Un i nënshkruakemi Mons. Frano Gjini, Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni. Kam nderën të njoftoj atë P. T. Gjykatë të Naltë, e ndiej për detyrë të shejtë të kundërshtoj vendimin e Gjygjit Ushtarak të Shkodrës, dhanë me 8.I. 1948, me kenë se ky venim asht dhanë në bazë akt-akuzes, lshue prej Prokurorit Ushtarak të Zyres Ushtarake Shkodrës, me 2.I. 1948, e cila si asht formolue, nuk asht konform me të vërteten për sa i përket personit t’im: Se nuk kam punue për ardhjen e fashizmit italian në Shqipni; Se nuk kam kenë spiunë i imperializmit nazi –fashist; As kam punue për fashizimin e vendit;
4. Se nuk ia kam pranue kurr aderimin tem okupacionit italian, me përjashtim të një telegrami dërgue mbas 22 ditesh nga okupacioni italian, bashkë me kolegët të tjerë te Episkopatit, e cila telegram nuk ka tjetër kuptim, veç të një formalitetit konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës, të përgatituna prej tjerëve,. Pra kanë veprue të gjith përfaqsuesit e riteve e civile, ushtarake e fetare të vendit t’onë;
5. Se nuk kam shue ndjesit patriotike nacionale të popullit;
6. Se nuk kam vue kurrënji penges serioze për eliminimin e Levizjes së Nacional-Çlirimtare,
7. Se nuk kam ndihmue në asnjë menyrë Qeverit Kuislinge;
8. Se nuk kam ndimue kurrkenë për të pengue rezistencen e popullit kundra okupatorit … as formacionin e bashibuzukve kundra Nacional-Çlirimtares;
9. Se mbas çlirimit nuk kam organizue, marr pjesë a kryesue ndonji grup politik antipopullorë, me qëllim për të përmys Pushtetitn me vjolencë, as nuk kam ngarkue ndonjë personë klerik a civil, për të më përfaqsue nën grupe të tilla nëse kanë ekzistue;
10. Se nuk kam drejtue kurr memorandume te karakterit imperialiste te huaj;
11. Se nuk kam pasë kurrnjë përpjekje, as ilegal as me reakcionin e mrenshem e, të jashtëm.
Prandaj në lidhje me sa ju thoni, e ndiej për detyrë e ndërgjegje kombëtare, shoqërore, profesionale, të kërkoj në bazë të drejtesis .. asaj të …Gjykatë, rishikimin e gjyqit prishjen e vendimit të tij e, njofjen e pafajsis sime.
Në saj të kërkeses sime ….nenshkruhem me nderime
Shkoder . 10. I.1948
Frano M. Gjini
Regjent i Delegacjonit Apostolik në Shqipni
Torturat dhe ekzekutimi!
U lexue prej Kryetarit vendimi i formuluem gjatë e stërgjatë me ato provat bindse, që zakonisht bien të gjith xhelatët e botës:
Imzot Frano Gjini, me vdekje pushkatim.
At Mati Prendushi, me vdekje pushkatim.
Imzot Nikollë Deda, me vdekje pushkatim.
Dom Tom Laca, me burgim të përjetshëm.
At Donat Kurti, me burgim të përjetshëm.
D.Ndoc Sahatçija, me 15 vjet burg.
At Mëhill Miraj, me 10 vjet burg.
Dom Mark Hasi, me 7 vjet burg.
Zef Haxhia, me 5 vjet burg.
Dom Nikoll Shelqeti, me 3 vjet burg.
Fr. Zef Pllumi, me 3 vjet burg.
D. Anton Muzaj, me lirim kondicional.
Ndërkohë që priste ekzekutimin, sipas dëshmive thuhet që: (…) Koha e martirizimit të tij (Imzot Frano Gjinit), arriti shumë shpejt. Regjimi i ri e arrestoi Gjinin pas publikimit të letrës së tij, në të cilën denonconte fushatën shpifëse dhe persekutimin e Kishës Katolike. Policët që e merrnin në pyetje, ia lidhnin gojën dhe kokën me tela elektriku. Ato e torturonin me goditje elektrike, pastaj ia çanin e ia kriposnin trupin, madje i hidhnin edhe ashkla druri në thonjë duarve dhe të këmbëve. Më në fund, skuadra e ekzekutimit i dha fund jetës së Ipeshkvit, në një pellg me baltë në parcelat e vreshtave të Bardhajt (afër Shkodrës). Ai u ekzekutua me 18 klerikë dhe laikë, mëngjesin e 8 marsit 1948.
Kush ishte Frano Gjini?
I lindur me 20 shkurt 1886, në qytetin e Shkodrës, që herët shfaqi dëshirën për t’i hyrë rrugës për t’u bërë prift. Në vitin 1903, përfundon maturën në Kolegjin Saverian, ndërsa studimet e larta për teologji, i kryen në seminarin e Kongregacionit për përhapjen e fesë në Romë. Më 28 qershor 1908, shugurohet meshtar, duke shërbyer si famullitar në Krujë, Vlorë e Durrës. Më 29 qershor 1930, zgjidhet Ipeshkëv i Abacisë së Mirditës në Orosh, ku Abati kishte një rëndësi të madhe për mërditorët, më 3 korrik 1930, emërohet Ipeshkëv titullar i Semta. Me 28 tetor 1930 shugërohet Ipeshkëv. Për merita të veçanta në favor të Shqipërisë, me 11 qershor 1942, Guvernatori Mbretëror në Tiranë, i akordon Urdhërin “Skanderbeg”.
Kështu në mars 1948, pushkatohet së bashku me klerikë të tjerë, të cilët ishin dënuar me akuzën e rreme; për fshehjen e armëve në Kishën Françeskane. Më 14 nëntor 1993 atij iu akordua titulli (postmortum) “Martir i demokracisë” nga Presidentit i Shqipërisë i asaj kohe. Madje, themeluesi i Kishës së Parë Katolike në SHBA-ës, Mons. Zef Oroshi, dikur sekretar i Mons. Gjinit, në shenjë nderimi dhe respekti, në hollin e kishës dhe në bibliotekën e tij, mbante fotot e Ipeshkvit Gjini”, – shkruhet në vepren e publicistit e studiuesit Tomë Mrijaj, “Një jetë e shkrirë për fe e atdhe – Mons. Zef Oroshi” Frano Gjini, i cili ishte vet Doktor i Teologjisë i dha një rendësi të veçantë nxitjes dhe mbështetjes së shkencës, si dhe dhënies së bursave kishtare, për teologët e rinj shqiptar të talentuar. Memorie.al
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co