Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake marrëveshje për sigurinë në qytet, Veliaj: Tirana e 1 milionë banorëve dhe mbi 10 milion turistëve, sot shumë herë më e sigurt

policia e shtetit dhe policia bashkiake marreveshje per sigurine ne qytet veliaj tirana e 1 milione banoreve dhe mbi 10 milion turisteve sot shume here me e sigurt
policia e shtetit dhe policia bashkiake marreveshje per sigurine ne qytet veliaj tirana e 1 milione banoreve dhe mbi 10 milion turisteve sot shume here me e sigurt

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, morën pjesë në ceremoninë për firmosjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, me qëllim ushtrimin e funksioneve të tyre në shërbim të rendit në komunitet, mbrojtjen e shëndetit të njerëzve e sigurisë publike, si dhe disiplinimin, kontrollin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në Tiranë.

Kreu i Bashkisë shprehu mirënjohjen e tij për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ata të Policisë Bashkiake, të cilët janë çdo ditë në terren për sigurinë e qytetarëve të Tiranës. “Misioni ynë është i përbashkët! Kjo skuadër është skuadra “Tirana”, mes institucioneve që shërbejnë me uniformë, të cilat bëjnë një punë jetike për mbarëvajtjen e qytetit dhe nivelin e sigurisë në Tiran. Jemi një vend ku shteti është shtet, qyteti është qytet, turistët janë turistë, dhe sot Shqipëria është totalisht europiane, falë një rendi dhe sigurie publike model në të gjithë rajonin tonë”, tha Veliaj.

Ai vuri theksin te rëndësia e sigurisë për nxënësit dhe studentët nëpër shkollat e kryeqytetit, duke vënë në dukje faktin se sot Tirana është si nata me ditën, në krahasim me përpara.

“Në përpjekjet tona për të ndërtuar infrastrukturën shkollore, jo vetëm për llaç e tulla, por kryesisht për të krijuar një habitat, një komunitet të sigurt, unë besoj se Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake kanë rolin kryesor. Nuk janë kangjellat ato që na ruajnë, por janë njerëzit me uniformë, prindërit të cilët e ndjejnë se institucionet shtetërore duhet të japin sigurinë maksimale, për të pasur një komunitet ku fëmijët të rriten të pashqetësuar. Unë jam rritur në një Tiranë kur alarmi për bombë ishte ditor në shkollat tona. Shikoj sot se si Policia e Shtetit, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake janë në çdo kryqëzim të shkollës, në çdo perimetër, që ndihmojnë fëmijët përdore për të kaluar rrugën, dhe është aty kur mbaron ora e mësimit për t’u siguruar që ne e trajtojmë këtë punë si një familje e madhe dhe jo fëmija e filanit apo fistekut, por si fëmijët tanë të përbashkët. Kjo më bën të ndihem vërtet krenar! Kjo marrëveshje nuk është një marrëveshje rutinë, por një marrëveshje që pulson, jeton dhe prodhon rezultat në qytetet tona”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se marrëveshja e firmosur sot mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Bashkisë së Tiranës, ka në themelin e vet ushtrimin e funksioneve në shërbim të rendit në komunitet, të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, të sigurisë publike në disiplinimin, kontrollimin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në kryeqytet.

“Jemi këtu për të njoftuar një qasje të re të Policisë së Shtetit, për të ndërtuar një aleancë edhe më të fortë me njësitë e qeverisjes vendore. Jo pa shkak Tirana është e para, jo pse është kryeqyteti, por se kemi gjetur te Tirana, te gjithë stafi i Bashkisë së Tiranës, në mënyrë të veçantë te Policia Bashkiake, një partner të rëndësishëm për të kryer detyrat tona të rëndësishme, të cilat i kemi një pjesë të madhe të përbashkëta dhe sot çelim një fazë të re të institucionalizimit të këtij bashkëpunimi. Koordinimi më i mirë mes të gjitha agjencive ligjzbatuese po rrit efikasitetin tonë në parandalimin e krimeve në mbrojtjes e jetës së qytetarëve, duke na garantuar, sikurse tha kryetari i bashkisë, një nivel tjetër sigurie publike, duke e bërë kryeqytetin e Tiranës si një prej qyteteve me nivelin më të mirë të sigurisë publike. E kemi parashikuar në këtë marrëveshje që do të firmoset pas pak kalimin te Policia e Shtetit të të gjitha informacioneve, imazheve dhe videove, në kohë reale të sistemit të kamerave të vendosura në të gjitha kryqëzimet e kryeqytetit”, përfundoi Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →