Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara (OHCHR) tha se politikat “problematike” të Kinës vazhdojnë të jenë në fuqi, dy vjet pas raportit të ashpër që akuzoi Pekinin për “krime kundër njerëzimit” në Ksinjiang.
Kina është akuzuar se ka burgosur më shumë se 1 milion ujgurë dhe minoritete të tjera myslimane në provincën veriperëndimore të Ksinjiangut, akuza që Pekini i mohon.
OHCHR tha më 27 gusht se ka mbajtur një sërë diskutimesh në Gjenevë me zyrtarët kinezë që nga shkurti i vitit të kaluar, bisedime që i mundësuan shefit për të drejtat e njeriut të OKB-së, Volker Turk, të dërgonte një ekip në Pekin nga 26 maji deri më 1 qershor të këtij viti.
Ky ekip zhvilloi bisedime me autoritetet kineze, veçmas për “politikat kundër terrorizmit dhe të sistemit penal gjyqësor”, tha zëdhënësja e OHCHR-së, Ravina Shamdasani.
“Në Ksinjang, ne e dimë se shumë ligje dhe politika problematike janë në fuqi”, tha ajo.
OHCHR i kërkoi Kinës që të “kryejnë shqyrtim të plotë” të kërkesave ligjore që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe ligjeve kundër terrorizmit, por edhe mbrojtjen e minoriteteve ndaj diskriminimit.
Kjo zyre bëri thirrje për përparim “në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kinë”, por edhe që të hetohen shkeljet e pretenduara, përshirë edhe torturë.
Në fund të gushtit të vitit 2022, kjo zyrë kishte publikuar një raport ku thuhej se Kina mund të ketë kryer “krime kundër njerëzimit në Ksinjiang”.
Në atë raport, që u kundërshtua nga Kina, ishin përmendur të dhëna “të besueshme” për torturë, mjekim të detyrueshëm, dhunë dhe punë të detyrueshme.
Kina mohon këto akuza dhe insiston se në Ksinjiang ka qendra të “riedukimit”, që i mundësojë të luftojë ekstremizmin./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co