NATO do të punojë me këdo që fiton zgjedhjet në SHBA dhe do të bëjë gjithçka për të qëndruar e bashkuar, u zotua sot Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Euroatlantike, Mark Rutte.
“Ne do të bashkëpunojmë me Kamala Harris, do të bashkëpunojmë me Donald Trump dhe do të sigurojmë që Aleanca të mbetet e bashkuar”, tha Rutte gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
“Nuk kam asnjë dyshim, sepse kjo është në interesin tonë dhe në interesin e SHBA-së”, theksoi kreu i NATO-s.
Sipas tij, SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s.
“Ata e dinë se nëse Putini ka sukses në Ukrainë, atëherë një Rusi e guximshme do të jetë në krahun tonë lindor, kërcënim i drejtpërdrejtë për territorin e NATO-s”, tha ai.
Kur mori detyrën më 1 tetor, Rutte, i cili në të kaluarën ishte kryeministër i Holandës për 14 vjet, tha se nuk ishte i shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve në SHBA.
“Unë i njoh shumë mirë të dy kandidatët dhe kam punuar me Donald Trump për katër vjet,” tha aso kohe Mark Rutte.