Në një vit zgjedhor me jo pak të panjohura, një gjë është e qartë: amerikanët janë shumë afër një përsëritjeje të garës zgjedhore për president të vitit 2020, kur kandidatët e të dy partive kryesore ishin Presidenti Joe Biden dhe rivali i tij kryesor republikan, Donald Trump. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, shpjegon arsyet pse zoti Biden dhe zoti Trump vazhdojnë të jenë kandidatët e dy partive kryesore.
Amerikanët janë përballë një përsëritjeje të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Sondazhet tregojnë një mungesë përkrahjeje për të dy kandidatët, ndërsa zoti Trump ndeshet edhe me probleme të shumta ligjore. Të dy shihen si të moshuar, megjithëse sondazhet tregojnë se më shumë amerikanë shqetësohen për Presidentin Biden, i cili do jetë 82 vjeç në ditën e zgjedhjeve, krahasuar me zotin Trump, i cili do të jetë 78 vjeç.
“Zoti Trump është kampioni i ankesave, ai ka krijuar lidhje të fuqishme me bazën e përkrahësve të tij në këtë formë. Kur bëhet fjalë për zotin Biden, ai është i vetmi kandidat që demokratët besojnë se mund ta mposht Trumpin”, thotë Clifford Young, President i ‘Ipsos Public Affairs’, një organizatë amerikane që kryen sondazhe.
Të dy kandidatët përfitojnë nga një sistem politik që favorizon pushtetarët dhe kanë ndikim të madh brenda partive të tyre.
Zoti Biden fitoi zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër edhe pse emri i tij nuk ishte në fletëvotim.
Zoti Trump përfiton nga një proces brenda partiak që tërheq votues më të zjarrtë ideologjikisht, që përkthehet në mbështetje dërrmuese për të.
“Në zgjedhjet e përgjithshme dhe në përgjithësi në Partinë Republikane, zoti Trump nuk ka aq mbështetje sa krijohet përshtypja nga baza e votuesve që marrin pjesë në votimet paraprake, por sistemi brenda partisë republikane pothuajse me siguri do të çojë në emërimin e tij”, thotë Thomas Schwartz, që merret me historinë e presidentëve dhe është pedagog në Universitetin ‘Vanderbilt’.
Përkrahësit besnikë të zotit Biden e shohin atë si një president të suksesshëm, duke siguruar fitore legjislative dhe duke udhëhequr reagimin e perëndimit ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë si dhe duke udhëhequr një ekonomi ku frika për recesion është zvogëluar.
“Ajo që po dëgjoj brenda partisë është se do vazhdojmë garën me Bidenin”, thotë Corryn Grace Freeman, stratege e Partisë Demokrate e cila megjithatë e pranon se demokratët e majtë janë të zemëruar me Presidentin Biden që nuk e ka pezulluar në tërësi borxhin e studentëve ndaj universiteteve si dhe për politikën e tij ndaj luftës Izrael Hamas.
“Ka shumë njerëz që nuk mund ta mbështesin këtë president por që gjithashtu nuk e pëlqejnë Donald Trumpin, por që gjithashtu ndihen sikur Partia Demokratike po i dëshpëron vazhdimisht.”
Ish Presidenti Trump dhe zoti Biden përfitojnë gjithashtu nga një sistem brenda partiak ku shpallja e kandidaturës është në thelb e mbyllur prej kohe, për shkak të rregullave të shteteve të ndryshme.
“Datat e zgjedhjeve paraprake të partisë tani janë zhvendosur në pikën që shumica e tyre do të jenë mbajtur para 5 marsit”, thotë Geoffrey Cowan, profesor në Universitetin e Kalifornisë së Jugut.
Kjo do të thotë edhe pse ka ende tetë muaj deri në zgjedhje, do të jetë shumë e vështirë për një kandidat që të nisë një fushatë kundër zotit Biden ose ish Presidentit Trump.
Prandaj, përpos nëse njëri prej tyre tërhiqet vetë dhe partia përpiqet të emërojë një zëvendësues gjatë konventës, amerikanëve u mbeten pak a shumë këto dy kandidatura./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co