Presidenti Begaj në Lituani, takim me homologun Nauseda: Forcojmë bashkëpunimin! Linjë direkte Vilnus-Tiranë, 2 herë në javë

presidenti begaj ne lituani takim me homologun nauseda forcojme bashkepunimin linje direkte vilnus tirane 2 here ne jave





































Lituania ishte ndalesa e fundit e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, përgjatë vizitave shtetërore në Republikat Baltike. Ceremonia e pritjes u zhvillua në pallatin presidencial “Golden Gate”.

begaj me homologun e lituanise

Fillimisht, Begaj zhvilloi takimin kokë më kokë me homologun, Gitanas Nausėda, dhe më pas takimin e zgjeruar me praninë e delegacioneve përkatëse. Presidentët e dy shteteve ndanë me gazetarët konkluzionet e bisedës në një konferencë të përbashkët shtypi.

Forcimi i bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis dy vendeve, anëtarësimi i Shqipërisë në BE, Kosova dhe Ballkani Perëndimor, mbështetja e palëkundur ndaj Ukrainës, si dhe përpjekjet kolektive për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ishin në fokus të bisedës Begaj-Nausėda.

Presidenti i Shqipërisë u shpreh optimist në lidhje me rezultatin e kësaj vizite në Lituani dhe më herët në dy republikat e tjera baltike, Letoni dhe Estoni. Forcimi i marrëdhënieve i shërben shteteve në përballjen me sfidat e reja globale, si edhe mirëqenies së qytetarëve, u konkludua në takim.

Presidenti Begaj bisedoi me Presidentin e Lituanisë edhe për rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e mbrojtjes, sigurisë, arsimit shëndetësisë dhe bujqësisë.

“Linja Vilnus-Tiranë, 2 herë në javë nga qershori i vitit që vjen përmes “Air Baltic”, është lajmi që sapo morëm nga Presidenti i Lituanisë”, bëri të ditur Presidenti Begaj pas takimit me homologun Nausėda.

Presidenti Begaj dhe homologu lituanez Nausėda konfirmuan angazhimin e përbashkët për bashkëpunim  në çështjet e sigurisë, linjëzimin me politikat e Bashkimit Evropian dhe ndarjen e eksperiencave për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në këtë proces, Kreu i Shtetit e konsideroi Lituaninë si një shembull të mirë për t’u ndjekur, duke falënderuar Presidentin Nausėda për ndihmën e ofruar.

Begaj theksoi faktin se Shqipëria kurrë nuk është lëkundur në qëndrimet e saj evropiane duke qenë prezente në të gjitha operacionet që BE-ja ka ndërmarrë në mbrojtje të demokracisë dhe vlerave mbi të cilat u ngrit dhe funksionon Unioni.

Shqipëria dhe Lituania, u theksua në takim, ndajnë të njëjtat vlera edhe si aleate në NATO, duke dëshmuar gatishmëri për intensifikimin e ndihmës ndaj Ukrainës dhe për kontributin në misionet ndërkombëtare të paqes dhe mbrojtjes së lirisë.

“Investimi në mbrojtje është investim për të ardhmen e sigurinë në botë”, vlerësoi Presidenti Begaj, i cili theksoi rëndësinë e bashkimit përballë kërcënimeve që janë prezente.

Begaj i përcolli Nausėdas mirënjohjen për kontributin e Lituanisë në KFOR, si edhe mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat Euroatlantike.

Veç takimit me Presidentin Nausėda, gjatë qëndrimit në Vilnius, Presidenti Begaj u prit në takime të veçanta nga Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė, Kryeparlamentarja, Viktorija Čmilytė-Nielsen, dhe deputetë të grupit të miqësisë Lituani-Ballkani Perëndimor, me të cilët bisedoi për rritjen e shkëmbimeve ekonomike, forcimin e bashkëpunimit si anëtarë në NATO dhe thellimin e marrëdhënieve ndërparlamentare të dy vendeve.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →