Presidenti Joe Biden njoftoi të martën se administrata e tij do të ofrojë mbrojtje për disa kategori emigrantësh pa dokumente të martuar me shtetas amerikanë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, ky propozim vjen në 12-vjetorin e programit të mëparshëm DACA, që ofronte status të ligjshëm për emigrantët pa dokumente që janë sjellë në moshë të mitur në Shtetet e Bashkuara.
Që një ditë të gjendej brenda shtëpisë më të famshme në Amerikë, Shtëpinë e Bardhë, ishte një ëndërr e paarritshme për Javier Quiroz Castro-n. Ai u soll në Amerikë në moshën tre-vjeçare nga prindërit e tij pa dokumente nga Meksika.
Por të martën, ai ishte në Shtëpinë e Bardhë, shumë larg spitalit në Hjuston ku punon si infermier. Zoti Castro thotë se kjo u mundësua nga programi DACA, për legalizimin e emigrantëve pa dokumente që janë sjellë në moshë të mitur në Shtetet e Bashkuara.
“Shpëtimi i jetëve të emigrantëve u bë i mundur vetëm prej programit DACA. Më mundësoi të jetoj dhe të krijoj familje në të vetmin vend që kam njohur dhe dashuruar”, tha zoti Castro.
Të martën, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi një masë të re për t’u ofruar mbrojtje emigrantëve pa dokumenta që janë martuar me shtetas amerikanë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, propozimi i ri mund të ndihmojë rreth 500 mijë persona.
“Këto çifte kanë krijuar familje, kanë dërguar fëmijët në kisha dhe shkolla, kanë paguar taksat, kanë kontribuar për vendin tonë për 10 vite apo më tepër. Kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara gjithë këtë kohë, me frikë dhe pasiguri. Ne mundemi ta ndreqim këtë. Dhe këtë po bëj sot”, tha presidenti Biden.
Por, emigracioni është një temë delikate në këtë vit zgjedhor dhe gjatë 20 viteve të fundit, kalimet e paligjshme në kufirin jugor kanë qenë të larta.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co