Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, ka thënë të hënën se Teherani nuk do të heqë dorë kurrë nga programi i vet raketor.
Ai tha se Irani ka nevojë për një program të tillë për sigurinë e vet në një rajon ku armiku i tij i përbetuar, Izraeli, është në gjendje “të hedhë raketa në Gazë çdo ditë”.
Republika islamike për vite i ka shpërfillur thirrjet e Perëndimit për kufizimin e programit të saj bërthamor.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e kanë akuzuar Iranin rishtazi se e ka furnizuar Rusinë me raketa balistike për luftën e saj në Ukrainë, prandaj edhe kanë vendosur sanksione ndaj Moskës dhe Teheranit.
Si Irani, ashtu edhe Rusia, i kanë mohuar akuzat.
“Nëse ne nuk kemi raketa, ata do të na bombardojnë kurdo që të dëshirojnë, siç e bëjnë në Gazë”, tha Pezeshkian, duke iu referuar luftës në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Ai e përsëriti qëndrimin zyrtar të Teheranit, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtarë që “së pari ta çarmatosë Izraelin, para se t’i bëjë kërkesa të tilla Iranit”.
Irani është goditur me sanksione disa herë prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, për shkak se Moska përdor dronë iranianë, Shahed dhe Mohajer, në këtë luftë.
Irani vazhdon ta mohojë se dronët e tij po përdoren në luftë dhe këmbëngul se nuk mban anë në këtë konflikt./rel
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co