Rusia nënshkroi një sërë marrëveshjesh me Vietnamin gjatë vizitës shtetërore të Presidentit Vladimir Putin në Hanoi. Moska po kërkon të forcojë lidhjet në Azi ndërsa Rusia përballet me sanksione perëndimore për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Të dy vendet nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në arsim, shkencë, teknologji, si dhe kërkimin e naftës dhe gazit. Vizita është kritikuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti rus Vladimir Putin takoi homologun vietnamez To Lam në Hanoi të enjten gjatë një vizite shtetërore në Vietnam. Presidenti Putin po kërkon të forcojë lidhjet me partnerin e vjetër, Rusinë, ndërsa Moska përballet me sanksione të shumta perëndimore.
“Rusia i kushton rëndësi të madhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike tradicionalisht miqësore ruso-vietnameze. Këto marrëdhënie vazhdojnë të zhvillohen në frymën e barazisë, respektit dhe interesave të ndërsjellë”, tha Presidenti Putin.
Deklarata e Presidentit rus u bë pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve të bashkëpunimit midis dy vendeve që përfshinë edhe kërkime për naftë dhe gaz.
Presidenti i Vietnamit gjithashtu foli për “miqësinë tradicionale” të Vietnamit me Rusinë.
“Vietnami do ta konsiderojë Rusinë gjithmonë si një nga partnerët tanë më të rëndësishëm”, tha Presidenti Lam ndërsa e uroi zotin Putin për rizgjedhjen si president dhe vlerësoi arritjet e Rusisë, duke përfshirë atë që e quajti “stabilitetin e brendshëm politik”.
Pritja që iu bë udhëheqësit rus nga Vietnami u kritikua nga Shtetet e Bashkuara, që janë tregu kryesor i eksporteve të Vietnamit, krahas Bashkimit Evropian.
Presidenti Putin mbërriti në Hanoi nga Koreja e Veriut, ku ai dhe udhëheqësi komunist Kim Jong Un nënshkruan ndër të tjera edhe një marrëveshje në fushën e mbrojtjes për ndihmë reciproke në rast lufte.
Uashingtoni dhe Seuli e kritikuan marrëveshjen duke thënë se ajo shkel sanksionet e Kombeve të Bashkuara. Koreja e Jugut gjithashtu njoftoi se po shqyrton furnizimin e Ukrainës me armë.
Një zyrtar ukrainas e akuzoi Phenianin se po ndihmon “vrasjen masive të ukrainasve” nga Moska.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co