Presidenti rus, Vladimir Putin ka arritur të mërkurën në Korenë e Veriut, teksa dy shtetet synojnë të thellojnë bashkëpunimin që po vëzhgohet nga afër prej Shteteve të Bashkuara.
Mediat ruse kanë raportuar se Putin është pritur në Aeroportin e Phenianit prej liderit verikorean, Kim Jong Un.
Kjo është vizita e parë e Putinit në Korenë e Veriut pas 24 vjetëve.
Presidenti rus ka thënë para se të nisej se vlerëson mbështetjen që i ka dhënë Pheniani shtetit të tij për luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Ai ka thënë se do të vazhdojë të kundërshtojë ato që i ka përshkruar si ambicie të Perëndimit “për të penguar vendosjen e një rendi botëror, të bazuar në drejtësi, dhe respekt reciprok për sovranitet, duke marrë parasysh interesat e njëri-tjetrit”.
Putin po bën këtë vizitë teksa rriten shqetësimet se Pheniani po e furnizon Moskën me municione për të vazhduar luftën në Ukrainë, në këmbim të ndihmës ekonomike dhe avancimit teknologjik.
Dy vendet hedhin poshtë të gjitha deklaratat.
Rrugët e Phenianit janë dekoruar të martën me portretin e Putinit dhe flamujt rusë.
Putin ka thënë paraprakisht se Rusia dhe Koreja e Veriut do të zhvillojnë tregti dhe sisteme pagesash “që nuk kontrollohen prej Perëndimit” dhe që dy vendet kundërshtojnë sanksionet që u janë vënë, të cilat i ka konsideruar “ilegale, dhe kufizime të njëanshme”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co