Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka uruar homologun e tij rus, Vladimir Putin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Vuçiç ka thënë të martën se letrën e urimit për Putinin ia ka dorëzuar ambasadorit rus në Beograd, Alexander Bocan Harchenko.
“Në të, përveç se i kam uruar fitoren, i kam sqaruar edhe peshën e situatës me të cilët po përballen serbët në Kosovë dhe Metohi, sfidat e mëdha politike me të cilat përballet Serbia, dhe e kam falënderuar Rusinë për mbështetjen e saj për integritetin territorial të Serbisë”, ka thënë Vuçiç në Instagram.
Presidenti i Serbisë ka folur me ambasadorin rus dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve treditore presidenciale në Rusi, të cilat i ka fituar Putini.
Perëndimi ka thënë se nuk i konsideron këto zgjedhje, as të lira, as të drejta.
Autoritetet e Serbisë e kanë dërguar në Rusi një delegacion vëzhguesish për të parë prej afër procesin zgjedhor.
Serbia është një prej vendeve të pakta evropiane që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për nisjen e luftës në Ukrainën fqinje, më 2022.
Beogradi zyrtar mbështetet në ndihmën e Rusisë në organizata ndërkombëtare dhe mekanizma tjerë, kur është fjala për mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, mirëpo dialogon me Prishtinën zyrtare, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, në Bruksel qysh më 2011.
Palët kanë arritur disa marrëveshje, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, por jo të gjitha janë zbatuar./ REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co