Presidentja e Maqedonisë së Veriut fal dhjetë të burgosur, mes tyre edhe ish-kryetarin e Komunës së Manastirit

presidentja e maqedonise se veriut fal dhjete te burgosur mes tyre edhe ish kryetarin e komunes se manastirit





































Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, i ka falur të mërkurën dhjetë të burgosur, përfshirë edhe ish-kryetarin e Komunës së Manastirit, Vladimir Taleskin, duke ia hequr një vit nga dënimi me burg për keqpërdorim të detyrës.

presidentja maqedonase

Taleski ishte dënuar në mars 2020 me shtatë vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin “Transportuesi”, lidhur me organizimin e transportit të nxënësve në këtë komunë. Atij iu llogaritën në dënim edhe tri vjetët e kaluara në paraburgim para aktgjykimit të vitit 2020.

Taleski vlerësohet se kishte shkaktuar dëm të përgjithshëm prej rreth 360.000 eurosh.

Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare, një ditë më parë, presidentja fali edhe nëntë persona tjera, duke zëvendësuar dhe shkurtuar dënimet e tyre me kusht. Në njoftim nuk janë dhënë detaje për veprat penale për të cilat ishin dënuar.

Silanovska-Davkova i fali ata për nder të festës së 23 Tetorit – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, një festë shtetërore në Maqedoninë e Veriut

Presidenti maqedonas zakonisht fal të burgosur gjatë festave shtetërore, ndërsa falja e tyre bazohet në arsye të ndryshme si, sjellja e mirë, shkaqe familjare, gjendja shëndetësore.

Në mesin e 10 të falurve nga presidentja është edhe Marjan Efremovi, i akuzuar në rastin “Spiuni”, i cili përfitoi një shkurtim të dënimit prej tre muajsh. Efremovit në vitin 2014 u dënua me 15 vjet burgim, nën akuzat për “shoqëri kriminale, spiunazh, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shantazh”. Efremov më herët kishte punuar në Agjencinë për Zbulim.

Por, Silanovska-Davkova u kritikua për këtë vendim.

Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në opozitë, vendimin e presidentes e cilësoi si “skandaloz dhe tronditës”, duke pretenduar se “janë falur kriminelë të dënuar, dhe anëtarë të klaneve të drogës”.

“Silanovska-Davkova ka mbrojtur kriminelët dhe narko-klanet me këto vendime. Kjo është një goditje ndaj drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve”, tha të mërkurën zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska, në një konferencë për media.

Edhe nga partia E Majta (Levica), vendimin e presidentes e quajtën “skandaloz”.

“Vendimi skandaloz i presidentes Silanovska të falë kriminelë të cilët janë pjesë të narko grupeve tregon se edhe pushteti i saj ka “borxhe” ndaj nëntokës kriminale”, thanë nga Partia E Majta, duke kërkuar nga presidentja që ta tërheqë vendimin.

Pas reagimeve në opinion, Silanovska-Davkova, në një deklaratë për TV21, tha se tani po e sheh se “personazhet janë me të vërtetë interesantë, në kuptimin negativ të fjalës”, por shtoi se “vendimet janë marrë mbi bazë të analizave së veprave për të cilat janë dënuar dhe jo të personave konkretë”.

Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut, vendimet për falje kalojnë në disa faza procedurale. Fillimisht, kërkesa për falje paraqitet në gjykatë, e cila më pas e dërgon në Ministrinë e Drejtësisë. Aty shqyrtohen të gjitha dokumentet dhe përgatitet një propozim që dorëzohet në Presidencë.

Brenda Presidencës, Komisioni për Falje shqyrton secilën kërkesë, së bashku me rekomandimet e Ministrisë së Drejtësisë, dhe vendos me shumicën e votave. Propozimi i komisionit i paraqitet presidentit, i cili merr vendimin përfundimtar bazuar në këtë rekomandim dhe propozimin e Ministrisë së Drejtësisë./rel

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →