Rebelët jemenas të Huthit thanë se kanë sulmuar një bazë mobile të Marinës amerikane më 29 janar, pa dhënë asnjë dëshmi. Megjithatë, ky pretendim i Huthëve është hedhur poshtë menjëherë nga një zyrtar amerikan i mbrojtjes.
Huthët pretenduan se kanë sulmuar USS Lewis B. Puller, që shërben si një bazë lundruese për ushtrinë amerikane. Kjo luftanije më herët ishte stacionuar në Detin Arabik, si pjesë e përpjekjeve amerikane për të frenuar sulmet e Huthëve ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit.
Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, tha përmes një deklarate se rebelët gjuajtën raketa drejt anijes Puller në Gjirin e Adenit. Megjithatë, ai nuk ofroi dëshmi për të mbështetur këtë pretendim.
Sulmet e Huthëve do të vazhdojnë “derisa të ndalet agresioni dhe të hiqet rrethimi ndaj popullit të Palestinës në Rripin e Gazës”, tha Saree përmes deklaratës.
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes, që foli në kushte anonimiteti lidhur me çështjet e inteligjencës, tha se nuk ka pasur raportim për ndonjë sulm ndaj luftanijes Puller. Megjithatë, rebelët e Huthit më herët kishin gjuajtur raketa që nuk kishin arritur cakun e synuar dhe raketat kishin rënë në det apo tokë.
Luftanija Puller ka shërbyer si bazë mobile për pjesëtarët e Marinës së SHBA-së që kryen operacionin e 11 janarit për konfiskimin e raketave balistike të prodhimit iranian dhe komponentëve të raketave që besohej se ishin të destinuara për Jemen. Dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane u zhdukën gjatë sulmit dhe ata besohet se kanë vdekur.
Që nga nëntori, rebelët jemenas vazhdimisht kanë sulmuar anijet në Detin e Kuq lidhur me ofensivën e Izraelit në Gazë kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Por, ata gjithnjë e më shumë po sulmojnë anije që nuk kanë lidhje të qarta me Izraelin, duke shkaktuar pengesa në rrugën kyçe për tregtinë globale midis Azisë, Lindjes së Mesme dhe Evropës.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co