Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani do të mbahen mbahen më 23 shkurt. Për këtë kanë rënë dakord grupi parlamentar i SPD dhe CDU/CSU, u bë të ditur të martën nga burime parlamentare të partive.
Kancelari Olaf Scholz (SPD) kishte propozuar fillimisht, pas prishjes së koalicionit të semaforëve, një datë të re zgjedhjesh jo më vonë se fundi i marsit, ndërsa kreu i CDU-së Friedrich Merz donte që zgjedhjet të mbaheshin në janar.
Tani drejtuesit e CDU/CSU, SPD, të Gjelbritdhe FDP kanë rënë dakord t’i propozojnë 23 shkurtin 2025 Presidentit Federal Frank-Walter Steinmeier, si datë të re për zgjedhjet. Presidenti Federal nuk pritet të kundërshtojë këtë propozim.
Dakordimi mes socialdemokratëve dhe partive unioniste
Këtë e mësuan disa agjenci lajmesh, ndër to dpa, Reuters dhe Afp, nga grupet parlamentare.
Baza ishte si duket një marrëveshje midis SPD dhe CDU/CSU, pasi kreu i CDU-së Friedrich Merz hoqi dorë të hënën dorë nga kërkesa e tij, që zgjedhjet të mbahen në 19 janar.
Kancelari Olaf Scholz (SPD) nga ana e tij kishte braktisur propozimin e tij fillestar për të organizuar zgjedhje të reja jo para marsit. Sipas burimeve të brendshme, këtë propozim e mbështesin edhe FDP dhe të Gjelbrit.
Kjo sjell qartësi për një nga datat pas shpërbërjes së koalicionit trepartiak. Mbetet për t’u parë se kur do të kërkojë kancelari Olaf Scholz votëbesimin në Bundestag. CDU/CSU i kishte kërkuar Scholz-it ta kërkonte të mërkurën votëbesimin, gjë që ai refuzoi ta bënte. Nesër (13.11.), kancelari Scholz do të mbajë një deklaratë të posaçme qeveritare./DW