Ushqimi i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, javët e fundit ka qenë kryetemë në vend, për shkak të raportimeve të ndryshme që vaktet e tyre janë të mangëta.
Si rrjedhojë e situatës së krijuar, sot duke filluar nga ora 12:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të Grupit Parlamentar të AAK-së, e cila është mbështetur nga 43 deputetë nënshkrues.
Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Ai ka theksuar se në qendër të seancës do të jetë një propozim rezolutë që obligon Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes për të zgjidhur me urgjencë çështjen e furnizimit me ushqim dhe pajisjet e nevojshme për ushtarët.
“Propozim Rezoluta është e thjeshtë: “Kuvendi i Republikës së Kosovës e obligon Qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes, që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme””, ka shkruar Tahiri.
Ai ka shtuar se drafti i Rezolutës do të jetë i hapur për plotësim nga deputetët gjatë seancës, duke ofruar mundësinë për diskutime të tjera të rëndësishme mbi këtë çështje.
Kjo seancë vjen në një moment të rëndësishëm, duke theksuar nevojën për mbështetje të vazhdueshme për Ushtrinë e Kosovës dhe përmirësimin e kushteve të saj operacionale.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të dielën ka dalë me një sqarim në lidhje me çështjet e ngritura për furnizimin me ushqim për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ai në një postim në Facebook, theksoi se “Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar furnizimet,” duke u angazhuar për të ofruar shërbimin ushqimor në mënyrën më të mirë të mundshme.
Për të adresuar këto sfida, ai njoftoi se ka kërkuar që “strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes të ndërmarrin hapat e nevojshëm.”
Ministri theksoi se qëllimi është “të minimizojmë ndikimet negative në furnizim dhe shërbim,” duke garantuar që këto çështje të mos prekin efektivitetin e përgjithshëm të FSK-së.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co