Bota

Problemi i stanjacionit të popullsisë globale nuk është më fantashkencë

problemi i stanjacionit te popullsise globale nuk eshte me fantashkence
problemi i stanjacionit te popullsise globale nuk eshte me fantashkence

Dikur shqetësoheshim që planeti të popullohej së tepërmi, por ka edhe shumë anë negative të uljes së popullsisë globale.

Ne e imagjinonim njerëzimin duke populluar universin. Në librin “Foundation” të Isaac Asimov (1952), njerëzimi ka krijuar një perandori të madhe shumëplanetare deri në vitin 47000.

Kur Asimov lindi në vitin 1920, popullsia globale ishte rreth 1.9 miliardë. Kur ai publikoi librin e tij “Foundation”, ishte 2.64 miliardë. Deri në kohën e vdekjes së tij në 1992, ishte 5.5 miliardë, gati tre herë më shumë se sa ishte në lindjen e tij. Duke marrë parasysh se kishte pasur vetëm 500 milionë njerëz, kur Kristofor Kolombi zbarkoi në Botën e Re, përhapja e specieve homosapiens në epokën moderne, kishte qenë një arritje mahnitëse.

Nuk është çudi, që disa anëtarë të gjeneratës së Asimovit, iu frikësuan mbipopullimit dhe shqetësoheshin për një katastrofë të afërt. Kjo çoi në të gjitha llojet e përpjekjeve, për të promovuar metodat kontraceptive dhe abortin, siç përshkruhet në librin “Fatal Misconception: The Struggle to Control World Population” të Matt Connelly (2008). Midis tyre ishte politika e Kinës me një fëmijë, ndërhyrja më e ashpër ndonjëherë e qeverisë në sjelljen riprodhuese njerëzore.

Në sipërfaqe, këto përpjekje ishin një dështim i plotë. Frank Notestein, demografi i Princetonit që u bë drejtori themelues i Divizionit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara (UNPD), vlerësoi në vitin 1945 se popullsia e botës do të ishte 3.3 miliardë deri në vitin 2000. Në fakt, ajo i kaloi 6.1 miliardë. Sot vlerësohet të jetë më shumë se 8 miliardë. Në parashikimin më të fundit, vlerësimi mesatar i UNPD-së është se popullsia globale, do të arrijë në 10.4 miliardë nga mesi i viteve 2080, me një kufi të sipërm prej më shumë se 12 miliardë deri në fund të shekullit.

Megjithatë, ky duket një skenar me probabilitet të ulët. Qendra e Ekspertizës për Popullsinë dhe Migracionin e Komisionit Europian, parashikon që popullsia globale do të arrijë kulmin në 9.8 miliardë në vitet 2070. Sipas Institutit për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit, një organizatë e pavarur kërkimore, do të arrijë kulmin në një nivel më të ulët dhe më herët, në 9.7 miliardë në 2064.

Fjala kyçe është “kulmi”. Pothuajse të gjithë demografët, tani e kuptojnë se ka të ngjarë të arrijmë kulmin e njerëzimit këtë shekull. Kjo nuk është për shkak se një pandemi vdekjeprurëse do të rrisë vdekshmërinë shumë më tepër sesa Covid-19, megjithëse kjo mundësi nuk duhet të përjashtohet kurrë. As sepse UNPD-ja përfshin në modelin e saj të popullsisë ndonjë skenar tjetër apokaliptik, qoftë ndryshim katastrofik klimatik apo luftë bërthamore.

Kjo është thjesht sepse, në të gjithë botën, shkalla totale e fertilitetit (TFR) – numri i fëmijëve të gjallë, që një grua lind gjatë jetës së saj – ka rënë që nga vitet 1970. Në një vend pas tjetrit, ajo ka rënë nën pragun 2.1, nën të cilin popullsia është e detyruar të bjerë. Kjo rënie e fertilitetit është në shumë mënyra tendenca më e shquar e epokës sonë. Dhe nuk është vetëm Elon Musk që shqetësohet se, “kolapsi i popullsisë është potencialisht rreziku më i madh për të ardhmen e qytetërimit”.

Por, për të cituar UNPD-në, “Më shumë se gjysma e rritjes së parashikuar në popullsinë globale, midis 2022 dhe 2050, pritet të përqendrohet në vetëm tetë vende: Republika Demokratike e Kongos [DRC], Egjipti, Etiopia, India, Nigeria, Pakistani, Filipinet dhe Republika e Bashkuar e Tanzanisë.” Kjo për shkak se tashmë, “afër gjysma e popullsisë globale, jeton në një vend ose zonë, ku lindshmëria gjatë gjithë jetës është nën 2.1 lindje për grua”.

Jo shumë njerëz parashikuan kolapsin global të fertilitetit. Askush nuk priste, që kjo të ndodhte kudo. Në Korenë e Jugut shkalla totale e lindshmërisë në vitin 2023, vlerësohet të ketë qenë 0.72. Në Europë nuk ka më dallim, mes vendeve katolike dhe protestante. TFR aktuale e Italisë (1.21), është më e ulët se ajo e Anglisë (1.44). Nuk ka asnjë ndryshim midis qytetërimeve të krishtera dhe atyre islame – ato entitete të mëdha historike, për përplasjet e të cilave historiani Samuel Huntington shqetësohej. Shkalla e përgjithshme e lindshmërisë në SHBA, tani është 1.62. Shifra për Republikën Islamike të Iranit është 1.54.

Koha e këtij tranzicioni të madh demografik, ka ndryshuar, me siguri. Në SHBA, TFR ra nën 2.0 në 1973. Në MB, ndodhi një vit më vonë; në Itali në 1977. Vendet e Azisë Lindore nuk ishin shumë prapa: Në Korenë e Jugut TFR ishte mbi 2.0 deri në 1984; në Kinë deri në vitin 1991. Fertiliteti mbeti më i lartë për më gjatë në botën myslimane, por ra nën 2.0 në Iran, që në vitin 2001. Edhe në Indi TFR, tani ka rënë nën 2.0.

Vetëm në vendet e Afrikës Sub-Sahariane, lindshmëria mbetet shumë mbi normën e zëvendësimit. Në DRC, për shembull, një grua mesatare ende lind më shumë se 6 fëmijë. Por edhe atje, lindshmëria pritet të bjerë ndjeshëm në dekadat e ardhshme. TFR globale, sipas projeksionit të variantit të mesëm të UNPD-së, do të bjerë nga 2.3 në 2021 në 1.8 në 2100. Ndryshimet në vlerësimet, se kur të arrijmë kulmin e njerëzimit, varen kryesisht nga sa shpejt demografët mendojnë se madhësia e familjes do të tkurret në Afrikë.

Nxitësit e rënies së madhe të lindshmërisë

Një teori, sipas një studimi të vitit 2006, që provokon mendime nga Wolfgang Lutz, Vegard Skirbekk dhe Maria Rita Testa, është se “shoqëritë përparojnë në hierarkinë e nevojave nga mbijetesa fizike në vetë-aktualizimin emocional, dhe ndërsa e bëjnë këtë, rritja e fëmijëve bëhet vendimi më i shpejtë, sepse njerëzit ndjekin qëllime të tjera, më individualiste. Njerëzit gjejnë mënyra të tjera, për të gjetur kuptimin e jetës.” Një interpretim tjetër thekson se lindshmëria bie me rritjen e arsimimit dhe punësimit të grave.

Gjatë shekullit të kaluar, duke filluar në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut, një përqindje në rritje e grave, kanë hyrë në arsimin e lartë dhe fuqinë punëtore të kualifikuar. Edukimi i përmirësuar gjithashtu, u ka dhënë grave një autonomi më të madhe brenda marrëdhënieve, një kuptim më të mirë të kontracepsionit dhe kontribut më të madh në planifikimin familjar. Shumë prej tyre kanë zgjedhur të vonojnë të bëhen nëna, për të ndjekur karrierën e tyre. Dhe kostoja oportune për të pasur fëmijë rritet, ndërsa pagat e grave rriten në krahasim me partnerët e tyre meshkuj.

Një mënyrë tjetër për të parë problemin është se, revolucioni industrial reduktoi rëndësinë e fëmijëve si burim i punës së pakualifikuar. Ndërsa vendet zhvillohen ekonomikisht, familjet investojnë më shumë për fëmijët e tyre, duke u ofruar atyre arsimim më të mirë, gjë që rrit koston e rritjes së secilit fëmijë.

Ndryshimi kulturor ka luajtur gjithashtu një rol. Një studim vlerësoi se afërsisht një e treta e rënies së fertilitetit në SHBA, midis 2007 dhe 2016, ishte për shkak të uljes së lindjeve nga shtatzanitë e padëshiruara.

Një tjetër shtytës kryesor i rënies së lindshmërisë, ka qenë ulja e rëndësisë së fesë. Duke përdorur të dhënat në Anketën e Vlerave Botërore, ne mund të identifikojmë një korrelacion të qartë midis rritjes së sekularizimit dhe rënies së madhësisë së familjes.

Fertiliteti ndonjëherë mund të rritet përsëri – kujtojmë bebet e shumta të lindura pas Covid. Për më tepër, sipas të dhënave të sondazhit, shumë gra do të dëshironin të kishin më shumë fëmijë. Në vendet me fertilitet të ulët, sipas një studimi të vitit 2019 për Fondin e Popullsisë së OKB-së, ekziston “një hendek i madh midis aspiratave të fertilitetit në moshat më të reja, dhe fertilitetit të arritur më vonë në jetë, duke sinjalizuar se shumë gra, burra dhe çifte, përballen me pengesa.”

Që pengesat kryesore janë kostot e perceptuara ekonomike të një familjeje më të madhe, vërtetohet nga fakti se shumë nga gratë profesioniste më të suksesshme, kanë më shumë se dy fëmijë.

Por, a mund të bëjnë qeveritë diçka për të nxitur lindshmërinë në të gjithë bordin? Ata me siguri po përpiqen. Që nga vitet 1970, numri i vendeve që synojnë të rrisin lindshmërinë me një sërë stimujsh qeveritarë, është rritur afërsisht pesëfish. Por, nuk ka shembuj në të cilat politikat pronatale kanë funksionuar vërtet. Prej vitesh, presidenti Vladimir Putin u ka kërkuar rusëve, që të kenë më shumë fëmijë, në mënyrë që të parandalojnë shpopullimin e federatës së madhe, që ai qeveris. Megjithëse lindshmëria ruse u rrit në dekadën pas vitit 2000, TFR asnjëherë nuk u afrua afër 2, dhe ka rënë përsëri në 1.5.

Ajo që Musolini e quajti “beteja për lindjet”, është një propozim humbës. Tendenca globale është të lehtësohet aborti. (Në 30 vitet e fundit, më shumë se 60 vende kanë ndryshuar ligjet për abortin. Të gjitha, përveç katër – SHBA, El Salvador, Nikaragua dhe Polonia – lehtësuan mundësinë për të abortuar). Një numër në rritje vendesh, lejojnë eutanazinë dhe/ose vetëvrasjen e asistuar. Askush nuk e di saktësisht pse, por ushqimi i keq, ajri i ndotur dhe mënyra e keqe e jetesës, kanë shkaktuar rënie të fertilitetit dhe aftësisë riprodhuese.

Pse arritja e kulmit të popullsisë nuk është pozitive

Së pari, vendet e përparuara, që tashmë kanë popullsi në rënie, i shohin pasojat e kufizimit të fertilitetit: rritja e ulët ekonomike, shkollat me pak nxënës, shtëpitë e të moshuarve të mbushura me njerëz, mungesa e përgjithshme e gjallërisë rinore.

Së dyti, për shkak se rënia e fertilitetit erdhi më vonë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, dhe mezi ka filluar në Afrikën Sub-Sahariane, ne po shohim një ndryshim dramatik në ekuilibrin demografik global. Kjo shqetëson shumë nga popujt kryesisht të bardhë dhe kryesisht të krishterë, të cilët ishin dominues globalisht nga viti 1750 deri në vitin 2000.

Së treti, popujt me lindshmërinë më të lartë, jetojnë kryesisht në vende të varfra, ku ndryshimet klimatike dhe konfliktet e armatosura, po i bëjnë edhe më pak tërheqës. Pra, ata lëvizin nëse munden – përmes Afrikës së Veriut ose Azisë Perëndimore drejt Europës, ose përmes Meksikës në SHBA – ose, në një masë të konsiderueshme, përfshihen në aktivitete të dhunshme (krim ose terrorizëm) ku nuk mund të shpëtojnë.

E gjithë kjo rrit probabilitetin e politikës së krahut të djathtë në botën e zhvilluar (të moshuarit votojnë për këtë dhe ata janë më shumë se të rinjtë), më shumë konflikt (kufijtë nuk mund të mbrohen seriozisht pa kërcënimin e dhunës), aq më i shpejtë përhapjen e patogjenëve infektivë dhe asnjë përpjekje efektive, për të adresuar çështjen e klimës.

Megjithatë, emigrimi ende duket për elitat e Amerikës së Veriut dhe Europës, si zgjidhja më e thjeshtë për problemin e rënies së lindshmërisë. Kjo është arsyeja pse, në vendet me të ardhura të larta midis viteve 2000 dhe 2020, kontributi i emigracionit ndërkombëtar neto në rritjen e popullsisë, tejkaloi bilancin e lindjeve ndaj vdekjeve. Se cilat do të jenë pasojat gjeopolitike të emigrimit masiv, nuk dihet.

Shumica e ekspertëve mundohen të kuptojnë se, kur popullsia njerëzore të fillojë të bjerë, ajo do ta bëjë këtë jo gradualisht, por pothuajse me aq shpejtësi sa u ngrit dikur.

Problemi është se kjo rënie e mprehtë, do të vijë një shekull më vonë, për të shmangur pasojat katastrofike të ndryshimit të klimës, që shumë njerëz sot i tremben – dhe të cilat janë një arsye tjetër pse njerëzit do të ikin nga Afrika dhe një arsye tjetër pse të rinjtë në Europë, thonë se do të kenë pak ose asnjë fëmijë.

Për ata, si Elon Musk, që ende ëndërrojnë të ndërtojnë perandorinë galaktike të Asimov, vizione të tilla të zhdukjes njerëzore janë të vështira për t’u kuptuar. Ai dhe të tjerët, notojnë kundër valës, duke pasur pesë ose gjashtë herë më shumë pasardhës se mashkulli mesatar. Por, realiteti është se një TFR globale nën 2.1, është një forcë historike më e fuqishme se zoti Musk./ MONITOR

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts