Propozimi i qeverisë së Republikës Sërpska për t’u ndarë, zëdhënësi i BE-së: S’tolerohen sjellje që rrezikojnë sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës

propozimi i qeverise se republikes serpska per tu ndare zedhenesi i be se stolerohen sjellje qe rrezikojne sovranitetin e bosnje e hercegovines































Bashkimi Evropian (BE) nuk toleron sjellje që e rrezikojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), pas propozimit të Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’u ndarë nga BeH, tha të premten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Peter Stano

Të enjten, Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.

“Për fat të keq, nuk është hera e parë që dëgjojmë deklarata të tilla. BE-ja është e qartë dhe kjo është përsëritur disa herë. BE-ja dhe të gjitha vendet anëtare e mbështesin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë e Hercegovinës“, tha Stano.

Ai e përsëriti se sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues i Bosnje e Hercegovinës duhet të ruhet, duke paralajmëruar “pasoja serioze“ për shkelësit e saj.

Liderët e BE-së vendosën në mars për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Ajo e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.

Më herët të premten, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se propozimi i Qeverisë së RS-së për t’u ndarë nga Bosnja e Hercegovina, është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Sërpska”.

Qeveria e RS-së e bëri propozimin për “ndarje” gjatë një mbledhjeje të mbajtur në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) të enjten, ku u miratua rezoluta që e shpall 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Disa vende anëtare të BE-së nuk votuan për miratimin e rezolutës. Hungaria votoi kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja abstenuan.

Stano tha se votimi në OKB është çështje individuale e secilit vend anëtar, por shtoi se BE-ja si bllok është e qartë se gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të mohohet.

“Ne, si BE, nuk jemi si anëtar i OKB-së. Sa i përket BE-së, ne kemi qëndrimin e qartë dhe e kemi përsëritur rregullisht çdo përvjetor. Gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të mohohet, e as të relativizohet“, shtoi ai.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç./REL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →