Protesta e 11 korrikut është protestë për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri, u shpreh kreu demokrat, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur përpara mbështetësve të tij, nga ballkoni i banesës ku ndodhet në “arrest shtëpie” prej 30 dhjetorit, ndërsa po hetohet nga SPAK lidhur me procedurat e privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Berisha tha se protesta e 11 korrikut është protestë për thelbin e lirisë, për thelbin e dinjitetit njerëzor.
“Historia e njerëzimit ka faktuar se vota e lirë është mekanizmi themelor i shtetit ligjor, i barazisë para ligjit, i lirisë së tregut, i zhvillimit dhe begatimit të një vendi.
Kombet që nuk kanë pasur votën e lirë, kanë rënë në abiset e historisë.
Kujtoni pak se ku ramë ne në 46 vite diktaturë, në të cilën çdo katër vite shkonim te kutitë e votimit, por votat i numëronte partia terroriste.
Rikujtoni pak se cili ishte shkalla e tjetërsimit njerëzor nga kjo diktaturë dhe mjerimi ekonomik.
Por ata që kanë pasur fatin e madh të mos jetojnë në atë kohë, le të ndalen pak në këtë 10-vjeçar të sundimit të Rilindjes dhe Edi Ramës.
Besoj se për çdo njeri që i thotë lirisë, liri, dinjitetit njerëzor, dinjitet, të cilët nuk mund të ekzistojnë pa votën e lirë, e kanë të qartë se votat e tyre i numëroi Edi Rama me terroristët e tij elektoralë, patronazhistë, aktivistë.
Se votat e tyre i numëroi Edi Rama me Bajrët, Avdylët, Ndokët, Rrajat, mafien e tmerrshme të drogës në Shqipëri dhe në botë”, tha Berisha.
Ai ka kërkuar nga demokratët dhe demokratet që në 11 korrik të jenë në shesh.
“Demokrate e demokratë, 11 korriku është protesta për disa të vërteta të hidhura, por të vërteta që presin zgjidhje nga ne dhe jo anashkalim. Për secilin prej jush, për çdo qytetar të ndershëm, duhet të marrë fund iluzioni se ka zgjedhje me Edi Ramën. Duhet të marrë fund mashtrimi se ka zgjedhje me Edi Ramën.
Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
Vërtet një grup njerëzish marrin ndonjë mandat. Kurse popullit opozitar i mbetet poshtërimi. I mbetet mashtrimi, shkelmimi dhe tjetërsimi. I mbetet rruga e vetme të largohet nga Shqipëria.
Në këtë kontekst, ftoj çdo anëtare dhe anëtar të PD, të ngrihet në lartësinë e detyrës së tij, në lartësinë e misiont të tij, në lartësinë e detyrimit të tij për të rikthyer votën e shqiptarëve.
Për të rikthyer votën me çdo çmim, për të rikthyer votën me çdo kusht, për të rikthyer në Shqipëri demokracinë, shtetin ligjor, dinjitetin e qytetarëve, shpresën dhe të ardhmen e tyre”, tha Berisha.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co