Shqiperia

Protesta e 11 korrikut, Vuksani thirrje fermerëve: Ejani në protestë, bujqësia po shkon drejt greminës

protesta e 11 korrikut vuksani thirrje fermereve ejani ne proteste bujqesia po shkon drejt gremines
protesta e 11 korrikut vuksani thirrje fermereve ejani ne proteste bujqesia po shkon drejt gremines

Gjok Vuksani, drejtues i Departamentit të Bujqësisë në PD, i ka drejtuar një thirrje të gjithë fermerëve që ti bashkohen protestës së opozitës më 11 korrik.

Vuksani tha se sipas të dhënave zyrtare të INSTAT rezulton se bujqësia shënoi rënie me 0.68% në vitin 2023, më e forta që nga viti 1997.

“Për bujqësinë jepet buxhet i pamjaftueshëm: 2 % e buxhetit vjetor, pavarësisht se bujqësia kontribuon me rreth 20% në buxhet. Edhe pse alokohet një buxhet vjetor shumë i ulët, 76 % e tij përdoret për paga dhe shpenzime operative, dhe vetëm 24% shkon për fermerët. Ndryshe nga vendet e rajonit dhe BE ku 70% e buxhetit për bujqësinë shkon për të subvencionuar fermerët.

Çmimet shumë të larta të inputeve bujqësore si, farat, fidanët, plehrat kimike, pesticidet, nafta dhe krahu i punës, kanë rritur koston e prodhimit të frutave, perimeve, mishit, qumështit me 30-40% më lart se vendet e rajonit. Si rezultat i rritjes së kostove është reduktuar në mënyrë drastike prodhimi vendas dhe janë rritur ndjeshëm çmimet e produkteve blegtorale nga 40-100 %.

Përgjysmimi i numrit të krerëve të lopëve të qumështit dhe bagëtive të imëta në 10 vitet e fundit, si rezultat i politikave të gabuara të qeverisë, ka sjellë falimentimin e qindra fermave dhe komplekseve blegtorale.

Një tjetër dështim i qeverisë është aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH, 0% në blerje dhe 20% në shitje, gjë që i ka vendosur operatorët e sektorit në një regjim taksimi të padrejtë, dhe për pasojë i ka detyruar të furnizohen me produktet bujqësore nga importi duke braktisur produktin vendas.

Ministria e Bujqësisë ka zbatuar politika të gabuara dhe selektive në dhënien e mbështetjes për bujqësinë, pa u fokusuar te fermerët dhe blegtorët, por financimi është përqendruar te bizneset klienteliste të turizmit, industrisë dhe, në shumë raste edhe ato të ndërtimit, që nuk kanë lidhje me bujqësinë”, tha Vuksani.

Në vijim ai u shpreh se pas një hetimi të thelluar OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian ti konsiderojë të paligjshme një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë të IPARD II në vlerën e 33 milionë eurove.

“Prandaj shteti shqiptar detyrohet të kthejë mbrapsht këtë shumë të shpenzuar në mënyrë të paligjshme.

Lajm edhe më i keq është së OLAF rekomandon që BE të ndalojë alokimin e 112 milionë eurove të financimit për IPARD III, derisa shteti shqiptar të ndërmarrë masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm.

Bujqësia shqiptare po shkon drejt greminës nga qeverisja e Edi Ramës.

Ju bëj thirrje të gjithë fermerëve që, të enjten më 11 korrik ora 20.00, të vijnë të gjithë në protestë përpara Kryeministrisë për t’i dhënë fund rrënimit të bujqësisë dhe të Shqipërisë”, tha Vuksani.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts