Bashkimi Evropian duhet t’i rrisë masivisht shpenzimet, përmes huamarrjes së përbashkët, në mënyrë që t’i rrisë investimet, pasi ka mbetur shumë mbrapa Shteteve të Bashkuara, është thënë në një raport të publikuar të hënën.
Shefja e Kombeve të Bashkuara, Ursula von der Leyen, i ka kërkuar vitin e kaluar Mario Draghit, ish-udhëheqësit të Bankës Qendrore Evropiane, që të përpilojë një raport se si blloku me 27 vende anëtare mund të rrisë konkurrueshmërinë, teksa rriten pasiguritë globale dhe sfidat ekonomike.
Në raport janë kërkuar investime shtesë në vlerë të të paktën 750-800 miliardë eurove, çka përbën pesë për qind të bruto prodhimit të brendshëm (GDP) të Bashkimit Evropian.
“Për herë të parë prej Luftës së Ftohtë, ne duhet të kemi frikë për ruajtjen tonë dhe arsyeja për një përgjigje të unifikuar nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme”, ka thënë Draghi në një konferencë për media në Bruksel.
Duke prezantuar “strategjinë e re industriale”, të bazuar në rreth 170 propozime, Draghi ka thënë se investimet janë masive, mirëpo nevojitet një ndryshim radikal.
Duke cituar fondin historik të bllokut evropian për rimëkëmbje ndaj pandemisë së koronavirusit, ish-kryeministri italian, Mario Draghi, ka thënë se BE-ja duhet të krijojë “instrumente për borxh të përbashkët, për të investuar në projekte të përbashkëta, të cilat do të rrisin konkurrueshmërinë dhe sigurinë e BE-së”.
Kjo ide përkrahet nga Franca, por shtete tjera, përfshirë Gjermaninë dhe Holandën kritikojnë veprime të tilla me frikën se do të detyrohen të kontribuojnë me më shumë para, për t’i mbuluar shtetet në jug të Evropës.
I vetëdijshëm për vështirësitë e propozimit të tij, Draghi ka thënë se borxhet e përbashkëta mund të jenë të mundshme vetëm nëse “plotësohen kushtet politike dhe institucionale”.
Në raportin e tij Draghi ka thënë se Evropa do të hyjë në epokë të re, e përballur me konkurrencë prej jashtë, por me qasje të kufizuar në tregjet e huaja, pasi rivalët po rrisin barrierat për tregti të lirë./REL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co