Punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prej 3 muajsh nuk janë paguar.
Denoncimi erdhi nga disa prej tyre në News24 dhe për ta verifikuar atë, News24 kontaktoi me zyrtarë të agjencisë, të cilët as nuk e mohuan as nuk e pohuan këtë të dhënë, por thanë se do kontaktojnë më vonë për një sqarim.
Është e paqartë se pse situata në AKBN ka përfunduar në këtë gjendje. Kjo agjenci është e organizuar në mënyrë të tillë që i siguron të ardhurat me vetëfinancim, ku për çdo licensë në sektorin energjetik, minerar dhe hidrokarbur paguhen tarifat përkatëse.
[embedded content]
Për nga natyra e asaj që administron, AKBN duhet të ishte një nga agjenci publike më fitimprurëse. Sipas statutit, AKBN është përfituese direkte e koncesioneve në energjetikë, miniera dhe fushat e kërkimit të naftës dhe siguron të ardhura nga shitja e pjesës së shtetit në një marrëveshje hidrokarbure.
Po ashtu Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore mund të marrë para nga projekte nga buxheti i shtetit.
Njëkohësisht për çdo shërbim në AKBN paguhen tarifa marramendëse, dhe subjektet që marrin leje energjetike, minerare apo hidrokarbure janë të detyruara të paguajnë bonuse për kualifikimin dhe administrim e projektit.
AKBN është përgjegjëse për mbikqyrjen e qindra koncesioneve në Shqipëri, të HEC-ve private, fushave të naftës dhe minierave, për të cilat ajo vjel “fee koncesionare”, ndërkohë që ka më shumë se tre muaj që nuk jep pagat e punonjësve.
Tre javë më parë ministrja e energjisë Belinda Balluku me një lëvizje të beftë njoftoi emërimin e drejtorit të ri Petrit Malaj në krye të kësaj agjencie, por nuk u tha asgjë se cili ishte fati i ish drejtorit Adrian Bylyku dhe përse ai u largua nga detyra.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co