Javë pas jave kemi sjellë te ju pushimet e VIP-ave shqiptarë ndër vite. Foto nga ditët ku rrjetet sociale nuk ishin kaq popullore dhe e vetmja mundësi për t’i parë ata sesi pushonin ishin vetëm faqet tona.
Tashmë është momenti për t’i rikthyer disa nga fotot më të famshme, pikërisht për të bërë së bashku një krahasim të tyre, por edhe të pushimeve që bënin para disa vitesh. Për këtë javë kemi zgjedhur disa shkrepje që kanë brenda shumë dashuri, dëshirë për sport, por edhe shkrepje që kanë ngritur temperaturat.
ARMINA DHE SHKËLZENI, BASHKË EDHE NË MOTOR UJI
Prej më shumë sesa 10 vitesh ata janë ndër çiftet më të mediatizuar dhe më të dashur për publikun. Armina Mevlani dhe Shkëlzen Berisha sot janë martuar zyrtarisht dhe kanë vendosur që jetën në çift ta jetojnë disi më të distancuar nga kureshtja e ndjekësve.
Disa vite më parë, çifti u fotografua në jug të vendit, ku edhe kalonin disa ditë pushime së bashku. Dyshja duket se edhe pasionet për sportet ujore i kanë pasur të njëjta.
Paparaci ynë i ka fotografuar teksa bëheshin gati për të bërë një xhiro me motor uji, për të shijuar kështu një adrenalinë ndryshe plazhi. Nuk e dimë nëse çiftin vijon edhe sot të bëjë të tilla pushime.
INVA MULA, PUSHIME SI MAMA DHE VJEHËRR E PËRKUSHTUAR
Ishte viti 2017 dhe Inva Mula kishte zgjedhur Dhërmiun për të shijuar disa ditë pushime me fëmijët e saj. Soprano është fotografuar në Dhërmi në shoqërinë e të birit, të dashurës së tij në atë kohë dhe vajzës së vogël Nina, të cilën e ka nga martesa me zotin Ramadani.
Ajo që binte në sy ishte mungesa e bashkëshortit të saj. Por në atë kohë pushimesh, duket se artistja po u dedikohej tërësisht fëmijëve të saj, madje ajo shihet duke luajtur gjatë gjithë kohës me vajzën e vogël dhe duke i mësuar notin.
Ajo që na bie në sy gjithashtu është edhe forma perfekte trupore e Invës, e cila në fakt nuk ka qenë asnjëherë mbipeshë, por gjithsesi që ka ditur të mbajë linjat e duhura që i shkojnë aq shumë.
ORIOLA MARASHI “ÇMEND” PLAZHIN
Prej shumë vitesh e kemi cilësuar si një ndër femrat më seksi të “showbizz”-it tonë. Oriola Marashi nuk kursehet kur vjen puna për fotot e saj, por duket se e njëjtë është edhe në të përditshmen.
Modelja është fotografuar nga paparaci ynë gjatë pushimeve në jug të vendit. E veshur me një bikini që zbulonte shumë, nuk kishte sesi mos të binin në sy format bombastike të saj.
Teksa ka shijuar kohën me miqtë e saj në bregdet, ne kemi shijuar këtë pamje të linjave të modeles. Duhet thënë se këto shkrepje nuk ndryshojnë aspak nga fotot artistike që shpesh herë Ori publikon në rrjetet e saj sociale.
MIMI KODHELI, PËRDORE ME BURRIN NË PLAZH
Në kohën kur këto shkrepje janë bërë, Mimi Kodheli ishte ministre e Mbrojtjes. Si një ndër personazhet e politikës që më së shumti e ndeshnim në jug, Mimi na ka zbuluar edhe pasionin e saj për notin.
Shpesh paparaci ynë e ka fotografuar teksa bëhej gati për të notuar me të gjitha aksesorët, gati si një profesioniste. Por këtë herë kemi mundur t’i shkëpusim edhe një detaj disi më romantik.
Ajo ka qenë në ujë, së bashku me bashkëshortin e saj, të cilin ka preferuar që ta mbajë gjithnjë larg vëmendjes së mediave. Por kur çifti është në ujë, natyrisht që një kapje nga dora nuk kishte sesi të mungonte. Një gjest ky romantik për këtë çif, që kanë të martuar më shumë se 35 vite.
SAIMIR KODRA DHE PASIONI I TIJ PËR DETIN
Në intervistat e dhëna, Saimir Kodra na ka zbuluar pasionin që ka për detin. Si një nga personazhet që e nis i pari plazhin, moderatori është edhe një njohës shumë i mirë i bregdetit tonë.
Që pasi bleu një varkë të vogël, është shumë e vështirë që Saimirin ta shihnim në breg, kjo për faktin se ai zgjedh që të shëtisë dhe të eksplorojë edhe gjiret më të largëta të bregdetit tonë. Megjithatë, paparacit tonë nuk mund t’i shpëtonte mbërritja e tij në breg disa vite më parë. Si gjithnjë i vetëm mbi varkën e tij, Saimiri duket se nuk ka ndryshuar aspak nga imazhi i tij i ditëve të sotme.
PUSHIMET PASIVE TË NARD NDOKËS
Një frekuentues i jugut të vendit tonë ndër vite ka qenë edhe Nard Ndoka. Ish-deputeti ishte padyshim një ndër politikanët që më së shumti e hasje në bregdet, duke shijuar kohën. Paparaci ynë, vite më parë i ka shkëputur një foto, ku duket së bashku me miqtë e tij duke qëndruar në shezlong dhe duke biseduar.
Në atë kohë, Ndoka duket se kishte disa probleme me peshën, probleme këto që sot i ka larguar. Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është fakti se deputeti i asaj kohe nuk preferonte as të lahej dhe as të merrej me aktivitet në plazh, duke shfrytëzuar kohën vetëm për të biseduar me miqtë e tij.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co