Putin intervistë me një gazetar amerikan, episodi i parë prej nisjes së luftës me Ukrainën

putin interviste me nje gazetar amerikan episodi i pare prej nisjes se luftes me ukrainen
putin interviste me nje gazetar amerikan episodi i pare prej nisjes se luftes me ukrainen

Kremlini konfirmoi të mërkurën se Presidenti rus Vladimir Putin është intervistuar nga ish-prezantuesi i Fox News, Tucker Carlson. Kjo është intervista e parë që zoti Putin zhvillon me një gazetar perëndimor që nga nisja e agresionit ndaj Ukrainës dy vjet më parë.

Carlson publikoi një video nga Moska të martën, në të cilën ai thoshte se do të intervistonte Presidentin Putin. Carlson shprehu pretendimin se gazetarët perëndimorë kishin intervistuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy shumë herë, por nuk “kishin marrë mundimin” që të intervistonin Presidentin e Rusisë.

Qëkurse nisi luftën ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, zoti Putin i ka kufizuar ndjeshëm kontaktet me mediat ndërkombëtare. Autoritetet ruse kanë goditur mediat, duke detyruar disa media të pavarura ruse të mbyllen, duke bllokuar disa prej tyre, si dhe duke urdhëruar një numër reporterësh të huaj të largohen nga vendi.

Dy gazetarë që punojnë për dy media amerikane, Evan Gershkovich i gazetës Wall Street Journal dhe Alsu Kurmasheva që punon për Radio Evropa e Lirë, janë burgosur për akuza të cilat ata nuk i kanë pranuar.

Gazetarët perëndimorë u ftuan në konferencën e përvitshme për shtypin që mbajti Presidenti Putin në dhjetor, e para që prej fillimit të luftës, por vetëm dy prej tyre iu dha mundësia të bënin një pyetje.

Zëdhënësi i Presidentit Putin, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se arsyeja që u zgjodh Tucker Carlson për intervistën ështe se “ai ka një qëndrim ndryshe” prej mediave të tjera në gjuhën angleze.

Zoti Peskov hodhi poshtë sugjerimin e gazetarit Carlson se asnjë gazetar perëndimor nuk kishte dërguar kërkesë për të intervistuar Presidentin Putin. Ai tha se Kremlini kishte marrë shumë kërkesa nga rrjete televizive dhe gazeta të mëdha perëndimore, të cilat, pohoi ai, “kanë mbajtur qëndrim të njëanshëm”.

Sipas zëdhënësit Peskov, qëndrimi i zotit Carlson “nuk është në asnjë mënyrë pro-Rusisë, as pro-Ukrainës, por është pro-amerikan”.

Agjencia e lajmeve Associated Press është ndër mediat që ka kërkuar një intervistë me Presidentin Putin.

Në videon e publikuar zoti Carlson njoftoi se intervista me zotin Putin do të shpërndahet falas në faqen e tij të internetit dhe në platformën X, e njohur më parë si Twitter. Zoti Carlson, u shkarkua nga rrjeti Fox News në prill.

Të mërkurën, media shtetërore ruse mbuloi gjerësisht vizitën e zotit Carlson.

Vladimir Solovyev, një nga prezantuesit më të njohur në Rusi, tha se intervista do të “kapërcejë bllokadën dhe narrativën që ekziston” në mediat perëndimore, të cilat, tha ai, përqëndrohen tek “sulmi i paprovokuar i Ukrainës nga Vladimir Putini”.

Tucker Carlson punoi në rrjetin televiziv Fox News për më shumë se një dekadë dhe drejtoi një program ku ndër të tjera diskutoi mbi teoritë konspirative për Rusinë dhe sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit. Rrjeti Fox News nuk dha asnjë shpjegim për shkarkimin e tij./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →