Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se shkencëtarët rusë janë afër krijimit të një vaksine kundër kancerit, e cila së shpejti do të jetë në dispozicion për të sëmurët.
Në komentet televizive, Putin tha se “ne kemi ardhur shumë afër krijimit të të ashtuquajturave vaksina kundër kancerit ose ilaçe imunomoduluese të gjeneratës së re”.
“Shpresoj se ato së shpejti do të përdoren në mënyrë efektive si metoda të personalizuara të trajtimit,” shtoi ai, duke folur në një forum mbi teknologjitë e ardhshme. Putin nuk specifikoi se cilat lloje të kancerit do të synonin vaksinat, apo në çfarë mënyre.
Disa vende dhe kompani farmaceutike po përpiqen të krijojnë vaksina kundër kancerit. Vitin e kaluar qeveria britanike nënshkroi një marrëveshje me kompaninë me bazë në Gjermani BioNTech për të filluar provat klinike për “trajtimet e personalizuara të kancerit”, duke synuar të arrijë 10,000 pacientë deri në vitin 2030.
Kompanitë e barnave Moderna dhe Merck & Co po zhvillojnë një vaksinë eksperimentale kundër kancerit që është treguar në një studim të fazës së mesme se përgjysmon mundësinë e përsëritjes ose vdekjes nga melanoma – kanceri më vdekjeprurës i lëkurës – pas tre vjet trajtimi.
Aktualisht ekzistojnë gjashtë vaksina të aprovuara kundër papillomavirusit njerëzor (HPV), i cili shkakton shumë kancere, duke përfshirë kancerin e qafës së mitrës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), si dhe vaksinat kundër hepatitit B (HBV), i cili mund të çojë në kancer të mushkërive.
Gjatë pandemisë së koronavirusit, Rusia zhvilloi vaksinën e saj Sputnik V kundër COVID-19 të cilën ua shiti disa vendeve, megjithëse brenda vendit u përball me një hezitim të përgjithshëm për t’u vaksinuar.
Vetë Putini u vaksinua me Sputnik në një përpjekje për të bindur botën për efikasitetin dhe sigurinë e formulimit.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co