Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se homologu i tij amerikan, Joe Biden, i kishte propozuar atij në vitin 2021 që të shtyhej pranimi i Ukrainës në NATO me 10-15 vjet .
Anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut ka qenë një kërkesë e kahershme e Kievit.
“Në vitin 2021, presidenti aktual Biden më propozoi pikërisht këtë: të shtyhej pranimi i Ukrainës në NATO për 10-15 vjet, sepse vendi nuk ishte ende gati”, tha Putin gjatë një konference për shtyp në televizion.
“Unë u përgjigja logjikisht ‘po,(Ukraina)nuk është gati sot. Por ju do ta përgatisni atë që të jetë gati dhe do ta pranoni si anëtar”, tha Putini, duke shtuar “megjithatë, për Rusinë cili është ndryshimi sot, nesër apo pas dhjetë vjetësh?”
Moska e konsideron pranimin e Ukrainës në NATO një vijë të kuqe. Në vend të kësaj, Kievi e paraqet anëtarësimin në NATO si të domosdoshëm për sigurinë e tij përballë Rusisë dhe kërkon një ftesë për t’u anëtarësuar sa më shpejt të jetë e mundur.
Udhëheqja ukrainase megjithatë ka pranuar se pranimi i saj mund të vijë pas luftës me Rusinë, të shkaktuar nga pushtimi rus në shkurt 2022.
Uashingtoni dhe Berlini në veçanti janë të kujdesshëm për çdo perspektivë të pranimit të shpejtë të Ukrainës në NATO. Në fillim të dhjetorit, Kremlini paralajmëroi përsëri se pranimi i Ukrainës në NATO do të përbënte një kërcënim të papranueshëm për Rusinë.
Presidenti rus Vladimir Putin tha gjithashtu se Sllovakia ofroi të ishte një palë për bisedimet e mundshme të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, gati tre vjet pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.
“Kryeministri sllovak Robert Fiço tha se nëse ka negociata, vendi i tij do të ishte i lumtur të ofronte një platformë,” tha Putin, duke vënë në dukje se Rusia nuk ishte kundër një propozimi të tillë.
Fico, një nga liderët e paktë evropianë që ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin edhe pas pushtimit.