Qeveria e Kosovës ka njoftuar se do të vazhdojë platforma “Superpuna” e cila ka nisur një vit më parë. Përmes kësaj platforme, ekzekutivi në Prishtinë subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh. Punëdhënësi, pastaj, ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një ngjarje të organizuar për këtë çështje, tha se me vazhdimin e platformës do të zgjerohet edhe grup-mosha e personave që do të kenë të drejtë të aplikojnë.
“Nga 18 deri në 25 vjeç, tashmë do të zgjerojmë grup moshat e përfituesve nga 18 deri në 29 vjeç”, tha Kurti, duke shtuar se zgjerimi i skemës është bërë për shkak se platforma, sipas tij, ka pasur ndikim të jashtëzakonisht të madh në punësimin e të rinjve.
Disa biznese në Prishtinë, kanë të vendosura shpallje nëpërmjet së cilave kërkojnë punëtorë. Nga kjo platformë, sipas Kurtit, janë subvencionuar afër 9.400 persona. Nga ky numër, 3.108 të rinj kanë vazhduar punën duke lidhur kontrata të rregullta me kompanitë private.
“Kjo i bie që 67 për qind e punëtorëve të ndërmjetësuar përmes ‘Superpuna’ kanë vazhduar të qëndrojnë në tregun e punës”, tha Kurti, gjatë konferencës së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Sipas platformës “Superpuna”, pas periudhës gjashtëmujore, punëdhënësi mund të mbajë në punë punëtorin duke nënshkruar kontratë të re, por edhe mund ta shkarkojë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në Kosovë është 11.8 për qind.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co