Bota

QKB thirrje bizneseve: Dorëzoni pasqyrat financiare vjetore brenda 31 korrikut! Ja hapat që duhet të ndjekin subjektet dhe penalitetet me të cilat përballen

qkb thirrje bizneseve dorezoni pasqyrat financiare vjetore brenda 31 korrikut ja hapat qe duhet te ndjekin subjektet dhe penalitetet me te cilat perballen



































VOLTIZA DURO/ Deri në datën 31 korrik, bizneset duhet të dorëzojnë pasqyrat financiare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.

QKB

Përmes një njoftimi zyrtar, QKB iu bëri apel bizneseve se deri në fund të muajit konform ligjit duhet të depozitojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit.

“Të nderuar subjekte, ju sjellim në vëmendje afatin mbi depozitimin e Pasqyrave Financiare dhe dokumenteve në përputhje me parashikimet e nenit 43 dhe 46 të Ligjit Nr. 9723 ‘Për regjistrimin e biznesit’, i ndryshuar, brenda datës 31 korrik 2023″, -theksoi QKB.

Sipas ligjit, “Për regjistrimin e biznesit”, subjektet duhet të regjistrojnë dhe depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar, në të kundërt aplikohet sanksion administrativ gjobë.

Referuar legjislacionit, kundërvajtja administrative e aplikuar në këtë rast ka një vlerë me 15 000 lekë. Me të njëjtën vlerë dënohet edhe deklarimi në regjistër i të dhënave të pavërteta, kur nuk përbën vepër penale. Qendra Kombëtare e Biznesit thekson se pavarësisht formës së tyre ligjore, depozitimin e akteve të mësipërme duhet ta kryejë çdo subjekt i regjistruar në Regjistrin Tregtar, kur këto subjekte kanë detyrimin e hartimit të tyre.

DEPOZITIMI ONLINE

Dorëzimi i tyre mund të behet përmes shërbimit online, Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit (për subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj) në “e-Albania”. “Kujdes! Për të përfunduar këtë shërbim ju duhet të jeni i pajisur më parë me nënshkrim elektronik. Për ata që nuk janë të pajisur me nënshkrim elektronik, mund të pajisen me nënshkrim elektronik falas dyjavor, nëpërmjet shërbimit ‘Aplikim për pajisje me nënshkrim elektronik për të punësuarit dhe subjektet tatimpaguese’”, – thuhet në njoftimin e QKB-së. Më tej sqarohen të gjitha hapat që duhet të ndjekin bizneset për të dorëzuar pasqyrën financiare vjetore.

“Hapat kryesore të pajisjes me nënshkrim elektronik janë si më poshtë: Hapi 1: Kërkoni tek ‘eAlbania’ shërbimin ‘Aplikim për pajisje me nënshkrim elektronik për të punësuarit dhe subjektet tatimpaguese’. Hapi 2: Përzgjidhet opsioni ‘Aplikim për regjistrim fillestar’, i cili e pajis aplikantin me nënshkrim dyjavor falas dhe ky nënshkrim përfitohet në çastin që kryen aplikimin për nënshkrim. Hapi 3: Pasi pajiset me nënshkrim elektronik dyjavor falas aplikanti duhet të logohet në ‘E sign Akshi’ ose ‘Platforma e Nënshkrimit’, ku duhet të nënshkruajë një dokument në formatin PDF. Hapi 4: Në Platformën e Nënshkrimit Elektronik bëhet identifikimi si ‘Punonjës biznesi’, duke vendosur kodin e përdoruesit (NID) dhe fjalëkalimin, i cili i ka shkuar aplikantit në mesazh në numrin e telefonit të deklaruar në llogarinë e tij në ‘e-Albania’”, – bën me dije QKB.

Kjo e fundit shton se pasi hapet faqja e nënshkrimit shfaqet komanda “Tërhiqni dokumentet këtu (ose klikoni)” dhe të jepet mundësia e përzgjedhjes së dokumentit në formatin PDF, të cilin doni ta nënshkruani elektronikisht. Pasi është ngarkuar dokumenti shfaqen komandat “Konfirmo” dhe “Ripoziciono” dhe më pas “Nënshkruaj dokumentet”. Pas komandës “Nënshkruaj dokumentet”, duhet të vendoset kodi i autorizimit, i cili është dërguar në numrin e telefonit dhe më pas shtypet butoni “Konfirmo”. Duke qenë se është nënshkrim elektronik për herë të parë nënshkrimi i dokumentit do të vonojë dhe pastaj bëhet shkarkimi i tij në komandën “Shkarko”.

“Tani, ju mund ta kryeni aplikimin për “Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit (për subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj) ‘Submission of financial statements and audit reports (for entities with Albanian and/or foreign administrators)”, – bën me dije Qendra Kombëtare e Biznesit.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts