Kryetari i Vlorës, Ermal Dredha, ka folur për situatën në qytetin bregder pas përmbytjeve që shkaktuan reshjet e dendura të shiut.
Ai u shpreh se ka prezencë ujë në disa lagje të qytetit të Vlorës dhe po punojnë për menaxhimin e situatës.
Për News24, ai u shpreh se qytetarët duhet të jenë durim derisa gjendja të rikthehet në normalitet, duke shtuar se pas evidentimit të dëmeve do të bëhet kompensimi i banorëve të prekur.
“Ka prezencë uji në disa lagje të brendshme të qytetit. Ka pasur një prurje prej 180 mm për 2 orë e gjysmë, prurje e cila mund të ndodhë për një muaj sipas ekspertëve. Jemi munduar të menaxhojmë situatën, por janë fatkeqësi natyrore. Po mundohemi të bëjmë maksimumin në terren dhe shpresojmë që gjendja të kthehet në normalitet Qytetarët duhet të jenë pak të duruar, sepse kemi disa pika në territor që duhen menaxhuar.
Drejtoria e Emergjencave po nxjerr gjithë të dhënat për evidentimin e gjithë dëmeve të shkaktuara në individë, banesa, apo në terren që më pas të aktivizohet edhe fondi i emergjencave për të kompensuar banorët e prekur nga kjo situatë”, tha ai.
Kryebashkiaku Dredha u shpreh se përmbytja e aksit rrugor “Albano dhe Romina” vjen për shkak të disnivelit në krahasim me atë transballkanike.
“Është një situatë e trashëguar prej kohës, për faktin që rruga transballkanike që kam përballë dhe rruga që është e përmbytur janë në disnivel. Është shumë i ulët niveli në krahasim me atë transballkanike, ndaj ndodh edhe ky fenomen. Duhet një ndërhyrje shumë e madhe, qoftë nga ana financiare, por edhe e një projekti që të funksionojë. Por duhet ta shikojmë me shumë seriozitet”, u shpreh kreu i Bashkisë Vlorë.