Raporti i OKB: Refugjatët dhe migrantët rrezikojnë jetën përmes rrugëve të rrezikshme nga Afrika për në Evropë

raporti i okb refugjatet dhe migrantet rrezikojne jeten permes rrugeve te rrezikshme nga afrika per ne evrope

































Çdo vit shumë nga qindra mijëra refugjatët dhe migrantët nga kontinenti afrikan, që kërkojnë azil, apo punë në Evropë, përballen me vdekjen, ngaqë ekzistojnë pak shërbime për t’i ndihmuar ata në këtë rrugëtim të rrezikshëm, sipas një raporti të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatë UNHCR, të publikuar të martën.

REFUGJATE

“Mungesa e shërbimeve kritike po i ekspozon refugjatët dhe migrantët ndaj pasojave të rënda deri në vdekje dhe gjithashtu po i detyron ata të përdorin itinerare dytësore të rrezikshme,” deklaroi i dërguari i posaçëm i UNHCR-së për situatën në pjesën qendrore të Mesdheut gjatë një konference shtypi në Gjenevë.

“Disa refugjatë dhe migrantë po shpërfillin rreziqet dhe shumë prej tyre janë viktima të trafikantëve”, tha ai.

Raporti vë në dukje vështirësitë me të cilat përballen refugjatët dhe migrantët të cilët rrezikojnë jetën duke përshkuar terrene të vështira që shtrihen nga Afrika Lindore dhe Perëndimore drejt bregut të Afrikës Veriore përgjatë Atlantikut dhe prej pjesës qendrore të Detit Mesdhe për në Evropë.

Sipas UNHCR-së, refugjatët dhe migrantët nga rreth 20 shtete të ndryshme afrikane “vdesin ndërkohë që kalojnë nëpër shkretëtirë apo përgjatë zonave kufitare.” Veç banorëve nga pjesa qendrore e Afrikës, sipas raportit, një numër gjithnjë e më i madh i njerëzve nga shtetet e Azisë dhe Lindjes së Mesme, përfshirë nga Bangladeshi, Pakistani, Egjipti dhe Siria shkojnë në Afrikën Veriore me destinacion përfundimtar Evropën.

Raporti thotë se shumica e refugjatëve dhe migrantëve “gjatë rrugëtimit përjetojnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut” përfshirë “dhunë seksuale dhe gjinore, rrëmbehen në shkëmbim të pagesës, torturohen dhe keqtrajtohen fizikisht.”

“Shërbimet që do t’u ofronin mbrojtje përgjatë këtij rrugëtimi për të zvogëluar rreziqet me të cilat përballen, siç janë ndihma e menjëhershme humanitare, strehimi për ata që kanë përjetuar dhunë dhe qasja në drejtësi, shpeshherë nuk ekzistojnë”, deklaroi zoti Cochetel.

“Në shumë shtete, shërbimet që ekzistonin gjatë viteve 2022 dhe 2023 nuk ekzistojnë më. E tillë është situata në Marok, në Mauritani, në Sudan për shkak të konfliktit, në pjesën veriore të Nigerit dhe në pjesën jugore të Algjerisë. Këto janë rrugët kryesore nëpër të cilat kalojnë migrantët dhe refugjatët”, tha ai.

Përpos konfliktit në Sudan, gjatë vitit 2023 një mori krizash të tjera i detyruan njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre.

“Fatkeqësisht, nuk mund të përjashtojmë situata të tjera të rrezikshme në vitin 2024”, paralajmërojnë autorët e raportit. “Nuk mund të përjashtojmë as nevojën e njerëzve për të ikur apo braktisur, shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë apo të kushteve më të mira të jetës për veten dhe familjet e tyre.”

Sipas zoti Cochetel, mungesa e fondeve kërcënon edhe ofrimin e disa shërbimeve të kufizuara, siç janë misionet për kërkim-shpëtim.

“Në të kaluarën, roja bregdetare në Agadez të Nigerit shpëtonte njerëzit e mbetur në shkretëtirë të braktisur nga trafikantët. Por misione të tilla shpëtimi,” thotë ai, “nuk ekzistojnë më përgjatë këtij korridori.”

“Vendi i vetëm në kontinentin afrikan ku zbatohet ky koncept është Xhibuti,” deklaroi zoti Cochetel.

Ai tha se projekte të tilla të kërkim-shpëtimit duhet të kryhen në formë partneriteti me autoritetet e Nigerisë, në pjesën jugore të Marokut, Mauritanisë dhe zonave tjera në shkretëtirë.

“Na duhet një zgjidhje e tillë për të shpëtuar jetë dhe për t’u ofruar siguri njerëzve që braktisen” nëpër këto rrugë, deklaroi ai.

Që nga publikimi i raportit të kaluar në korrik të vitit 2022, UNHCR-ja thotë se rreth 3,045 individë kanë humbur jetën, apo figurojnë si të zhdukur nëpër këto korridore që kalojnë nëpër Mesdheun qendror dhe perëndimor dhe në rrugët detare të Afrikës veri-perëndimore.

“Por, shifrat e vërteta ka gjasa të jenë më të larta meqë shumë prej incidenteve nuk dokumentohen,” thuhet në raport.

Ndonëse raporti ka për synim të tërheqë vëmendjen e qeverive për nevojën e shërbimeve, zoti Cochetel thotë se qëllimi i raportit është të ofrojë informacione të dobishme për shërbimet ekzistuese për refugjatët dhe migrantët të cilët janë “të humbur, të bllokuar apo të keqtrajtuar nëpër këto rrugë.”

Raporti, thotë ai, përmban koordinata orientimi gjeografik dhe numra telefoni në aplikacionin ‘WhatsApp’ që refugjatët dhe migrantët mund t’i shfrytëzojnë për të gjetur shërbimet që mund t’u shpëtojnë jetën./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →