Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka hedhur poshtë raportet e mediave turke të cilat raportonin se Asma al-Assad, gruaja me origjinë britanike e ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, donte të divorcohej nga ai dhe të largohej nga Rusia.
Peskov hodhi poshtë gjithashtu raportet e mediave turke që sugjeronin se Assad ishte mbyllur në Moskë dhe kishte ngrirë pasuritë e tij.
I pyetur në një telefonatë konferencë nëse raportet korrespondojnë me realitetin, Peskov tha: “Jo, ato nuk korrespondojnë me realitetin”.
Mediat turke dhe arabe raportuan të dielën se Asma al-Assad kishte bërë kërkesë për divorc në Rusi, ku familjes Assad iu dha azil këtë muaj pasi rebelët morën kontrollin e Damaskut pas një avancimi të rrufeshëm.
Sipas raportimeve të mediave, Asma al-Assad thuhet se ka bërë kërkesë për divorc dhe po kërkon leje për t’u kthyer në Londër për trajtim urgjent mjekësor. Sipas Haber Turk të Turqisë, Asma, e cila është diagnostikuar me leuçemi, ka paraqitur dy kërkesa në një gjykatë ruse.
Njëra kërkesë është për divorc, ndërsa në kërkesën tjetër kërkon leje për t’u larguar nga Moska, ku familja Assad kërkoi strehim pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad. Thuhet se Asma pretendon se nuk po merr kujdesin e duhur mjekësor në Moskë, ku familja po qëndron përkohësisht.
Divorci i mundshëm i shton një shtresë tjetër kompleksiteti sfidave me të cilat përballet Bashar al-Assad, i cili tashmë ka humbur pushtetin pas dekadash sundimi autoritar.
Ndarja mund të ketë pasoja të rëndësishme për të ardhmen e ndikimit politik të familjes Assad në rajon.
Asma, e cila dikur u cilësua si “Trëndafili i Shkretëtirës” nga mediat perëndimore, u martua me Bashar al-Assad në vitin 2000, pak pasi ai pasoi babain e tij si president i Sirisë.