Rastet po rriten me shpejtësi, çfarë duhet të dini për fruthin dhe si ta trajtoni sëmundjen virale

rastet po rriten me shpejtesi cfare duhet te dini per fruthin dhe si ta trajtoni semundjen virale

OKB ka vënë alarmin prej disa javësh për rritjen e rasteve me fruth në Evropë. Edhe në vendin tonë, nga konstatimet e kryera, fruthi po përhapet me shpejtësi, sidomos te fëmijët e vegjël. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dije se deri tani janë konfirmuar 17 raste me fruth, 4 prej të cilëve me lidhje epidemiologjike dhe shenja klinike.

Sëmundja e fruthit, nëse nuk kapet në kohë dhe shenjat klinike zgjasin për një periudhë të gjatë, mund të shkaktojë probleme me mushkëritë, trurin, pezmatime të veshit dhe në raste të rralla, mund të të marrë edhe jetën.

Për të shmangur problemet me fruthin dhe ndërprerjen e zinxhirit të infektimeve, bluzat e bardha rekomandojnë vaksinimin e fëmijëve 1 dhe 5 vjeç, si dhe të lindurit e viteve 1980-1990, pasi një i prekur mund të infektojë 15-20 persona.

Po çfarë duhet të dini për këtë sëmundje – duke filluar nga shenjat dhe simptomat e deri te opsionet e trajtimit.

Çfarë është fruthi?

Fruthi është sëmundje ngjitëse virale, e cila, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në komplikime serioze shëndetësore. Çdo njeri mund të preket me fruth nëse nuk është vaksinuar ose nëse nuk e ka pasur më parë këtë sëmundje. Sidoqoftë, fruthi është më i zakonshëm te fëmijët.

Cilat janë simptomat e fruthit?

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e fruthit fillojnë të jenë të dukshme afërsisht pas ditës së 10-14 pasi organizmi është ekspozuar ndaj virusit. Shenjat dhe simptomat e fruthit zakonisht janë:

Temperaturë
Kollë e thatë
Rrjedhje hundësh (shtim i sekrecioneve nazale)
Dhimbje fyti
Sy të skuqur (koniuktivit)
Njolla të vogla të bardha në gojë
Skuqje të lëkurës (rash kutan) që përhapet në të gjithë trupin. Fillimisht, pra në ditët e para përhapet në fytyrë dhe kokë dhe më pas në pjesët e tjera të trupit.
Si shpërndahet fruthi?

Virusi i fruthit mbahet në miliona pikëza të vogla, të cilat dalin nga goja dhe hunda kur një person i infektuar kollitet apo teshtin. Kjo do të thotë se shumë lehtë mund të sëmureni nga fruthi, nëse veç i nuhatni këto pikëza ose nëse e prekni sipërfaqen ku këto pikëza gjenden dhe pastaj i vendosni duart afër hundës apo gojës.

A mund të parandalohet fruthi?

Mënyra më e mirë për ta parandaluar fruthin është përmes vaksinimit. Shumica e fëmijëve vaksinohen – doza e parë ofrohet në muajin e 13-të dhe doza e dytë në moshën 3 vjeç e 4 muaj. Të rriturit dhe fëmijët mund të vaksinohen në çdo moshë, nëse nuk janë vaksinuar asnjëherë më parë.

Për më shumë informata rreth vaksinimit kundër fruthit, është mirë të konsultoheni me doktorin.

Si trajtohet fruthi?

Ka disa gjëra që mund t’i bëni e që jua lehtësojnë simptomat dhe e zvogëlojnë rrezikun e shpërndarjes së infeksionit.

– Konsumimin e paracetamolit apo ibuprofenit për t’i lehtësuar dhimbjet, për ta ulur temperaturën, etj. (aspirina nuk duhet t’u jepet fëmijëve nën moshën 16-vjeçare)

– Konsumimi i sasive të mëdha të ujit për ta shmangur dehidratimin.

– Mbyllja e perdeve për të ndihmuar në reduktimin e ndjeshmërisë ndaj dritës.

– Pushimi nga puna apo shkolla për të paktën 4 ditë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →