Analisti Fatos Lubonja ka komentuar qëndrimet e ndërkombëtarëve në Shqipëri për aksionin opozitar të nisur pas dënimit të deputetit demokrat Ervin Salianji.
Në një lidhje live në News24, Lubonja tha se opozita ka përgjegjësi për qasjen e ndërkombëtarëve, pasi sipas tij nuk ka punuar siç duhet, për t’i sqaruar çfarë ndodh në Shqipëri.
Për Sali Berishën, Lubonja tha se është një pengesë në këtë aspekt, por shtoi se amerikanët nuk e kanë shpallur non grata me qëllim luftimin e korrupsionit në Shqipëri, pasi ka 12 vite në opozitë dhe raporti i DASH sërish tregon rritje të korrupsionit në vendin tonë.
“Këtu po instalohet një regjim ku nuk ka kuptim opozita. Mendoj se nëse ndërkombëtaret sic kanë reaguar më herët duke luajtur rolin e arbitrit, tani janë bërë palë. Vetë Blinken tha keni një udhëheqës të shkëlqyer, ndërkohë NYT thotë ky ka blerë McGonigal. Ndërkombëtarët që bëjnë këto deklarata opozita duhet të jetë kundër tyre, jo SHBA por këtyre lobuesve që njërin sy e mbyllin.
Mendoj se ka përgjegjësi opozita, por siç e thashë më herët, këta kanë bërë një zgjedhje të gabuar dhe në këtë aspekt përgjegjësia kryesore e opozitës që nuk ka punuar siç duhet me ndërkombëtarët, për t’i sqaruar çfarë ndodh në Shqipëri. Këto protesta duhet të shkonin me njerëz, por jo kështu. Mendoj se Berisha në këtë situatë është një pengesë, sepse shërben për atë manipulim që është bërë. Ai nuk është futur nga PS se do të luftojë korrupsionin, as amerikanët nuk e kanë shpallur non grata sepse duhet të luftojnë korrupsionin, sepse duhet t’i kenë veshët e mbyllur sepse ka 12 vjet që Berisha është në opozitë dhe korrupsioni sipas DASH është rritur dhe nuk është ky hall. As halli i PS. Halli i PS është të eliminojë opozitën”, tha Lubonja.